Instituti Demokratik i Kosovës u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që të fillojnë procesin e draftimit të Kodit të Etikës.
Thirrja e KDI-së vjen një ditë pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, pati debat të ashpër me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar, ku këtë të fundit e quajti “rrugaç” dhe e gjuajti me ujë.
“KDI vlerëson që mbledhja e djeshme e Komisionit parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, ku ishte duke raportuar ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural z.Faton Peci, është zhvilluar në frymë të acaruar, mes deputetëve të opozitës gjegjësisht deputetes Ganimete Musliu nga PDK dhe ministrit Peci, që është përcjellur me akuza të ndërsjella, me ç’rast deputetja Musliu ka përdorur gjuhë fyese dhe ka hedhur ujë në drejtim të ministrit”.
“Pas këtij veprimi, kryetarja e Komisionit ka ndërprerë për pak minuta takimin që ishte duke u zhvilluar. Kjo përplasje ishte vazhdimësi e një debati të ashpër të zhvilluar mes deputetes dhe ministrit në fjalë në seancën e fundit plenare në kohën e pyetjeve parlamentare për çështjen e dhënies së disa granteve bujqësore nga Ministria”.
“KDI dënon çfarëdo veprimi qoftë gjuhë apo sjellje joparlamentare të deputetëve, si formë e zgjidhjes së mospajtimeve politike”.
KDI thotë së u rikujton deputetëve, në këtë rast edhe ministrave se Kuvendi duhet të shërbej si platformë e diskutimeve përmbajtjesore në mes të partive politike pavarësisht taborit të cilit i përkasin duke hequr dorë nga gjuha joparlamentare dhe përplasjet politike.
Si rrjedhoi ngjarja?
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, e ka quajtur “rrugaç” ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, të cilin edhe e ka gjuajtur me ujë.
Kjo ka ndodhur pas tensioneve mes tyre në raportimin e Pecit në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.
Pas kësaj, mbledhja e këtij Komisioni është ndërprerë.
E gjithë ngjarja ka ndodhur pas akuzave që ministri Peci i ka bërë në drejtim të Musliut.
“Ti përfaqëson më gjuhen e përfaqëson krimin. Qajo pjesa e krimit në Ministrisë së Bujqësisë ka një mbështetje politike dhe kjo pi bije që je ti ajo zyrtare që je në prapavijë”, ka thenë Peci.
Pas kësaj përplasje, Musliu ka dalë në konferencë për media, ku ka njoftuar se do të ngris padi ndaj Pecit, pasi siç ka thënë, ky i fundit ka shpifur për të.
Për veprimin e bërë ndaj tij, Musliu ka thënë se nuk është aspak pishman.
Sipas saj, këtë e ka bërë në përpjekje për t’i ndaluar siç ka thënë, shpifjet që Peci po bënte ndaj saj gjatë mbledhjes së komisionit.
“Unë i kam kërkuar kryetares të ia ndalë fjalën, por në momentin që ajo nuk ka vepruar, unë kam të drejtë të mbrohem dhe nuk tërhiqem nga ai veprim”, është shprehur Musliu në konferencë për media.
“E kam bërë me vetëdije të plotë, sepse ai ministër nuk e meriton të flasë në atë formë. Ministrat kur vijnë në Kuvend duhet të dinë detyrat dhe përgjegjësitë e veta”./Insajderi.com