Zbulohet pronari i numrit të telefonit i cili telefonoi Policinë për një mjet shpërthyes në Prishtinë

Zbulohet pronari i numrit të telefonit i cili telefonoi Policinë për një mjet shpërthyes në Prishtinë

Zoran Kovacevic është pronari i numrit që telefonoi rrejshëm Policinë e Kosovës të enjten për vendosjen e një mjeti shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, raporton Klan Kosova.

Sipas raportimeve, ai është serb nga Bujanoci, i cili në vitin 2011 kishte kërcënuar në formë të njëjtë zëvendësprokurorin për krime lufte të Serbisë, Bruno Vekariq, përcjell Insajderi.com.

“Unë do ta vras Bruno Vekariq”, i kishte thënë ai Policisë serbe më 3 mars të atij viti, dhe e kishte mbyllur më pas telefonin.
Atëkohë, Policia serbe e kishte arrestuar të dyshuarin, por që në Gjykatë ai ishte arsyetuar se telefonatën e kishte bërë duke qenë i irrituar kur kishte mësuar nga mediat se dyshohej që Zyra e Prokurorit kishte tërhequr urdhërarrestun për gjeneralin serb, Slobodan Divljak.

Ndryshe, të enjten, Policia e Kosovës kishte njoftuar se kishin marrë një telefonatë anonime se një person ka hedhur një mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Pas marrjes së kësaj informate, njësitet e PK-së kishin dalë në vendin e ngjarjes dhe pas kontrollimit të vendit, ishtek onstatuar se alarmi ishte i rrejshëm./Insajderi.com