“A keni ndonjë problem personal me Qeverinë Kurti? Apo kryeministrin Kurti? Çka është problemi?”.
Kështu i është drejtuar deputeti i Listës Guxo, Haxhi Avdyli, kryetarit të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, në takimin e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, pas paralajmërimeve për greva e protesta.
Sipas Avdylit, një reagim të ngjajshëm, Syla nuk e kishte në kohën kur në Qeverisje ishin Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate (PAN).
A keni reaguar ndonjëherë që ai memorandumi i juaj i nënshkruar me PAN, a është plotësuar? Kurrë nuk iu kam dëgjuar pse nuk keni reaguar se PAN na ka premtuar këtë, këtë e kemi nënshkruar memorandumin para zgjedhjeve dhe nuk është plotësuar”, tha ai.
Ndërkaq, Syla deklaroi se shumica e pikave të parapara në memorandumin e nënshkruar me koalicionin PAN, janë përmbushur, raporton KP.
Tutje, kryetari i FSSHK-së tha se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, nuk ka asgjë personale.
“Pika e katërt apo e 5 ka qenë çështja e pagave dhe çështja e parë ka qenë çështja e buxhetit dhe e dinë atë vit kur kanë ardhur kanë bërë disa intervenime, është bërë Kardiokirurgjia, ka filluar Onkologjia së funksionuari, shumë më mirë është bërë Intensiva e mos të hyjmë detaje, neve nuk ka interesuar fort ka filluar ai ligj, a jemi mashtruar apo jo koha do të tregojë dhe aty pothuajse shumicën e këtyre pikave i kemi realizuar këtu nuk kam pas çka me dal me fol.
Sa i përket asaj a kam unë me zotërin Kurti personale, absolut jo, dhe jo nuk qëndron sepse ki argumente se edhe para aprovimit të Ligjit të pagave kam shkuar në Vetëvendosje, e di zonja Kollçaku nëse ka qenë, jemi ankuar kemi thënë se me këto koeficiente kemi probleme, nuk kemi munduar t’i inkorporojmë krejt dhe i kemi pasur 2 apo 3 takime me zotëri Kurti shumë miqësore”, deklaroi Syla./Insajderi.com