Molliqaj: Reagimet e zëdhënësit të KEDS-it vetëm sa shtojnë dyshimet

Molliqaj: Reagimet e zëdhënësit të KEDS-it vetëm sa shtojnë dyshimet

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, tha se pas deklaratave të tij në një konferencë për media rreth dyshimeve të ngritura për kolapsimin e KEDS-it, reagimet e zëdhënësit të kësaj ndërmarrje, Viktor Buzhala – vetëm sa shtojnë dyshimet.

Sipas Molliqajt, në vend se menaxhmenti i ri i KEK-ut dhe KEDS-it të jenë transparente e t’i lënë vend hetimit dhe organet hetuese të drejtësisë, kanë zgjedhur sulmin.

“Sot, pas konferencës që PSD ka mbajtur, lidhur me kolapsimin e KEDS, përmes pyetjeve dhe dyshimeve të ngritura, siç duket ka prekur thelbin e disa e problemeve të grumbulluara në këtë kompani dhe relacionin e saj me Qeverinë.
Reagimi i z. Buzhala, vetëm sa shton dyshimin. Në vend se menaxhmenti i ri KEK-ut dhe KEDS-it të jenë transparente, t’i lënë vend hetimit, si dhe organet hetuese të drejtësisë të nisin punën një orë e më parë, kanë zgjedhur sulmin”, shkroi Molliqaj.

Tutje, kryetari i PSD-së thotë se KEDS është e mbyllur ndaj qytetarit ng ai cili përfiton milionat duke “kërcënuar” në konferencë dhe duke i ruajtur objektet e KEDS me policë.

“KEDS është e mbyllur ndaj qytetarit prej të cilit përfiton milionat. Duke kërcënuar në konferencë dhe duke i ruajtur objektet e KEDS me polici, nuk mund ta pengojnë e as heshtin kundërshtimin qytetar.

Stili i SLAPP padive që kanë për qëllim kërcënimin e atyre që ngrisin zërin kundër eksploatimit nuk mund të zgjas. Efektit publik dhe menaxhimit te imazhit po i vie fundi”, theksoi tutje ai.

Rënia e blloqeve A3 dhe A5, marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për shitblerjen e thëngjillit dhe pretendimet se KEDS-i po shet energji elektrike jashtë Kosovës – janë tri çështjet të cilat i ka diskutuar të shtunën kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.

Në një konferencë për media, Molliqaj ka thënë se rënia e dy blloqeve të lartëpërmendura ka qenë e qëllimshme dhe është shkaktuar nga vetë KEDS-i.

Qëllim i këtij veprimi, sipas tij, ka qenë që t’i prishet reputacioni KEK-ut.

Madje, ka hedhur dyshime që KEDS-i këtë veprim e ka bërë në bashkëpunim me menaxhmentin e ri të KEK-ut dhe Qeverinë e Kosovës.

“Sipas burimeve tona 10 ditë më parë ka pasur rënie të blloqeve A3 dhe A5, kishte mungesë të shtuar të energjisë elektrike. Sipas asaj që ne kemi informacione dhe që kërkojmë hetim të organeve përgjegjëse dhe të ekspertëve të fushave, rënia e blloqeve A3 dhe A5  brenda ditës duket që ka qenë e qëllimshme dhe e shkaktuar nga KEDS-i”, ka thënë Molliqaj./Insajderi.com