Kur Blloku B-2 i Korporatës Energjetike të Kosovës ishte lëshuar në punë me 14 korrik 1984, turbinat ishin blerë dhe vendosur nga kompania “General Electric”, një nga kompanitë më të mëdha në botë në këtë fushë. Prandaj, tash që këto turbina janë prishur dhe kanë pamundësuar vazhdimin e punës, janë ekspertë të pikërisht kësaj kompanie që KEK ka angazhuar për ta zgjidhur problemin.
Megjithatë, kontrata e publikuar rreth angazhimit të ekspertëve të “GE”-së nuk tregon shumë. Ajo çfarë është bërë e ditur është se shuma e kontratës do të jetë afër 250 mijë euro dhe angazhimi i ekspertëve është kontraktuar për 21 ditë.
Shqip.com ka realizuar një intervistë të shkurtër me përfaqësuesin e “GE”-së në Kosovë, Arbër Seferin.
Ai ka treguar se ishte kërkesë e vetë KEK-ut angazhimi i tyre, meqë ato turbinat janë të prodhuara pikërisht nga kompania “GE”.
Të angazhuar, siç ka shpjeguar Seferi, janë pesë ekspertë.
“Angazhimi i ekspertëve është jo vetëm për ta identifikuar problemin, por nëse munden edhe ta zgjidhini atë”, ka thënë ai për Shqip.com.
“Turbinat janë prodhim pikërisht i GE-së dhe jemi kontraktuar nga KEK-u për të parë se ku konsiston problemi dhe të bëhet ekspertiza nga grupi jonë i ekspertëve”.
GE-ja është kompani amerikane, por me shtrirje pothuajse në të gjithë botën. Ekipi i ekspertëve që po kontrollon turbinat në KEK janë ekip nga Gjermania.
“General Electric” është kompani multi-nacionale me seli qendrore në Boston të SHBA-ve. Kjo kompani merret me aviacion, energji, energji të ripërtritshme, industri digjitale, prodhimin e armëve, lokomotivave dhe gjithashtu me financa, megjithatë nga viti 2021 është përqendruar më shumë tek pjesa e aviacionit dhe energjisë, thuhet në informatat zyrtare të kompanisë për përshkrimin e punës dhe fushëveprimin.
Në vitin 2020, GE rangohej nga Fortune 500, si kompania e 33-të më e madhe amerikane, derisa kompania e 14 për nga fitimi.
Historiku i kompanisë
Gjatë vitit 1889, Thomas Edison, kishte biznese me interes në fushën e elektricitetit, duke përfshirë edhe kompaninë “Edison Lamp”, një fabrikë poçesh në New Jeresy të SHBA-ve. Edison, që njihet si shpikësi i poçit elektrik, kishte gjithashtu një kompani për dinamo dhe motorë elektrikë.
Në vitin 1889, Drexel, Morgan and Co, një kompani e J.P Morgan dhe Anthony Drexel, e financoi një kërkim të Edisonit dhe e ndihmoi atë në bashkim të kompanive nën korporatën “Edison General Electric”.
Ndërsa në vitin 1892 kompania “Edison General Electric” u bashkua me “Thomson-Huston Electric” duke formuar kështu “General Electric”. Dy kompanitë vazhduan nën emrin “GE” nga ajo ditë e deri më sot.
“GE” sot e kësaj dite vazhdon të jetë një nga kompanitë lider në fushën e energjisë elektrike. Madje, dy punonjës të kësaj kompanie, Irving Langmuir në vitin 1932 dhe Ivar Giaever në vitin 1973, kishin fituar edhe çmimin Nobël. Langmuir ishte fitues i Nobelit për kimi, derisa Giaever në fizikë.