Ethe, teshtimë, temperaturë, lodhje e vështirësi në frymëmarrje janë disa nga simptomat e variantit Omicron.
Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj, në një konferencë për media, ka treguar se një nga qytetarët e infektuar me Omicron, ka kërkuar trajtim mjekësor në këtë klinikë.
Vishaj ka thënë se ai ka qenë i vaksinuar me të dy dozat e vaksinës Pfizer dhe ka shfaqur gjendje stabile.
Sipas tij, QKUK ka hartuar strategjinë e veprimit në varësi të situatave që do të zhvillohen.
Vishaj ka thënë se në Klinikën Infektive punëtorët shëndetësorë iu kanë përgjigjur vaksinimit.
“Këto rekomandime janë në dobi të shëndetit tonë. Unë nuk e di që ka ndonjë rast nga punëtorët shëndetësorë që kanë refuzuar të vaksinohen. Çdo pacient që ka simptomatologjinë e gripit duhet të lajmërohet te mjeku familjar e pastaj aty adresohen në vendet përkatëse”.
“Në këtë fazë kemi pasur shumë qytetarë të sëmurë nga gripi sezonal. Nuk kemi pas të hospitalizuar, përveç 2-3 qytetarëve”, ka shtuar ai.
Ndryshe, varianti i ri i Coronavirusit, Omicron, ka prekur edhe Kosovën. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka bërë të ditur se më 26 dhjetor janë konfirmuar nëntë raste me këtë variant.
Nga 22 mostra të marra të periudhës kohore 15-25 dhjetor, nëntë prej tyre janë detektuar me Omicron në laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare, Departamenti i Mikrobiologjisë të IKShPK./Insajderi.com