Ganimete Musliu dorëzon padi ndaj Faton Pecit

Ganimete Musliu dorëzon padi ndaj Faton Pecit

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.

Musliu, pas dorëzimit të padisë, para mediave akuzoi ministrin Peci se ky i fundit ka gënjyer bujqit në lidhje me grante, përcjell Insajderi.com.

“Nuk do të lejoj që jo Peci, por asnjë ministër dhe askush tjetër të ma ndaloj që të adresoj çështje që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve. E kam ngritur vazhdimisht çështjen në fjalë. Peci i ka gënjyer bujqit, rreth një mijë prej tyre që kanë aplikuar për të fituar grante dhe ai ka bërë anulimin e thirrjes”, tha ajo.

Përplasja mes Ganimete Musliut dhe Faton Pecit

Më tej, Musliu ka theksuar se Peci ka fshehur vendimin për grantet dhe këtë çështje, e ka paditurin ministrin.

“Kur bëhet një gjë e tillë duhet të bëhet shpallja publike, ai e ka fshehur vendimin duke e ditur që do të përballet me fermerët. E ka ndryshuar datën e publikimit dhe duke e bërë datën ekuivalente me atë të vendimit. Anulimi i vendimit është shpallur më 7 dhjetor, pas reagimeve të mija ai e ka ndryshuar datën dhe e ka bërë më 30 korrik. Kjo është arsyeja pse ne sot jemi këtu. Kam ngritur padi për akuza e sojit të tillë”, ka deklaruar Musliu.

Padia e Musliut ndaj Pecit vjen pas një përplasjeje verbale në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.

Gjatë raportimit të ministrit në këtë komision, Musliu e pati quajtur Pecin “rrugaç”, e më pas e kishte hedhur një gotë ujë ndaj tij./Insajderi.com