ZRRE-ja publikon kalkulatorin për llogaritjen e faturës pas rritjes së çmimit të rrymës

ZRRE-ja publikon kalkulatorin për llogaritjen e faturës pas rritjes së çmimit të rrymës

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) pasi propozoi që tarifat e shërbimit të energjisë elektrike të rriten, ka publikuar kalkulatorin për llogaritjen e faturës.

Në këtë kalkulator qytetarët mund të ngarkojnë të dhënat e faturës së fundit të energjisë elektrike dhe të llogarisin se sa do të jetë vlera e faturës me tarifat e reja.

Te kolonat e këtij kalkulatori për konsumin, qytetarët duhet të vendosin kilovatët që shpenzojnë gjatë ditës në njërën rubrikë (A1) dhe ato gjatë natës në rubrikën tjetër (A2), dhe kalkulatori automatikisht ua tregon se sa do të paguajë qytetari.

Këto të dhëna qytetarët mund t’i marrin në faturën që iu shkon nëpër shtëpi nga KEDS-i. Te pjesa ku shkruan konsumi mujor, janë rubrikat A1 (shpenzimi i rrymës gjatë ditës) dhe A2 (shpenzimi i rrymës gjatë natës).

Çmimi final të cilin do ta paguajë qytetari gjendet te rubrika “Fatura me subvencionim”.

Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji ka përgatitur dy raporte konsultative ku njëra nga to ka të bëjë me kthimin e bllok tarifave.

Sipas propozimit të ZRRE-së i cili reflekton kostot e ofrimit të furnizimit me energji elektrike, është që tarifat e shërbimit të energjisë elektrike të rriten për 9% për komponentën e energjisë të tarifave për konsumatorët biznesorë dhe për nivelin e konsumit deri në 600 kWh të konsumatorëve shtëpiakë.

Niveli i konsumit mbi 600 kWh, që nuk mund të mbulohet nga kapacitetet vendore, furnizohet me tarifë prej 0.21 eur/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.09 eur/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët.

Grafika me rritjen e çmimit të faturës së energjisë elektrike

 

Sipas këtij propozimi, fatura me konsum mesatar prej 450 kWh do të rritetpër €2.29 në muaj, ndërsa fatura me konsum deri në bllok për 3.06€ në muaj.

Rritja për konsum që tejkalon bllokun 600 kWh është më e ndjeshme për shkak se reflekton çmimin e importit dhe për konsum mujor 800 kwh rritet për €26.98, ndërsa për konsum mujor prej 1000 kWh me €50.89.

Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë ka ndarë 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset.

Sipas ME-së, ndarja e mjeteve është bërë për t’u përballur me rritjen e tarifave të rrymës./Insajderi.com