“Çmimi i energjisë nuk është ngritur me 9%, por është rritur aq sa as mafia energjetike nuk e ka pritur”.
Kështu ka deklaruar lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pasi Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka propozuar që tarifat e shërbimit të energjisë elektrike të rriten.
ZRRE-ja ka propozuar që tarifat e rrymës të rriten për 9% për komponentën e energjisë të tarifave për konsumatorët biznesorë dhe për nivelin e konsumit deri në 600 kilovatë të konsumatorëve shtëpiakë.
“Rritja do të jetë shumë më e madhe për të gjithë që jetojnë në Kosovë kurse banesat dhe shtëpitë e zbrazta të diasporës tonë dhe mijëra apartamente të zbrazta nuk do të mjaftojnë që të maskojnë dëmin që do të ketë xhepi i qytetarit”, ka shkruar i pari i AAK-së në profilin e tij në Facebook.
“Ju qeveri e VV-së mbase mund edhe të mburreni se po reduktoni shpenzimet e administratës publike e bile edhe në kuvend ju mund të pini ujë nga ujësjellësi por ju po goditni në mirëqenien e qytetarit në shifra tepër të mëdha”.
Haradinaj madje e ka quajtur “të paaftë” Qeverinë Kurti duke thënë edhe se “prireni nga mashtrimi”.
“Për ju, jo substanca por pamja është primare”.
“Ky dhe dimrat tjerë do të jenë të gjatë, të errët dhe qe besa edhe të shtrenjtë për qytetarin e Kosovës dhe atë në shumë fusha, jo vetëm në energji”, ka përfunduar Haradinaj./Insajderi.com