Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka numëruar katër pika të cilat sipas tij, janë suksese të bordit të ri të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Pas takimit me bordin e AKP-së të mërkurën, në konferencë për media, Kurti tha se suksesi i parë është përgatitja e një strategjie përmbyllëse të AKP-së.
Ndërsa, pikë të dytë ka përmendur identifikimin e aseteve që mund të transferohen në Fondin Sovran.
Suksesi i tretë i bordit të ri të AKP-së, sipas Kurtit, është shkurtimi i shpenzimeve, në vlerë prej mbi 2.6 milionë eurosh.
Ndërsa, i katërti, sipas shefit të qeverisë është aktivizimi i ndërmarrjes shoqërore “Brezovica” për të cilën tha se kanë filluar edhe lëshimi i kuponëve.
Të pranishëm në takimin e kryeministrit Kurti me udhëheqjen e AKP-së ishin edhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati./Insajderi.com