Vetëm një muaj para, me 19 dhjetor Kosova shënoi vetëm 4 raste të reja me Covid 19.
Ndërsa, një muaj pas rezultuan 2050 raste të reja.
Kjo rritje e përnjëhershme e raste të reja të të infektuarve ka alarmuar qytetarët të cilët po presin në radhë për vaksinim në Qendrën e Vaksinimit në lagjen Emshir të Prishtinës.
“Numri i të infektuarve është në rritje, kohëve të fundit janë rritë shumë infektimet, kjo është shqetësuese sepse munden me na kthy si në fillim të pandemisë”.
Për Berishën zgjidhja më e mirë e mbrojtjes është vaksina.
“Pasi i kam marr dy dozat e para, më ka ardh mesazhi me marr edhe dorën e tretë të vaksinës. Po ndihem mirë, mirë jam ndjerë edhe pas vaksinës së parë dhe të dytë kështu që shpresoj që nuk do të kem problem. Vaksinën e kam marr sepse kështu na propozojnë organet shëndetësore dhe ne duhet të ju përmbahemi kërkesave të tyre”, tha Berisha për Shqip.com.
Përveç personave në moshë të shtyrë, interesim për dozën e tretë po shprehin edhe më të rinjtë.
Elza Ramadani 30 vjeçe tregon se punon në një organizatë joqeveritare, puna e së cilës kërkon të jetë ekipore, andaj për ta mbrojtur vetën dhe të tjerët ka zgjedhur të vaksinohet me të gjitha dozat.
“E mora dozën e tretë të vaksinës. E rëndësishme është me marrë masa parandaluese sesa me u bë pastaj për spital me ngarku spitalin edhe me ardh në gjendje shumë të keqe”, tha ajo për Shqip.com.
Ramadani u bën apel të gjithë personave me të drejtë vaksinimi, që të mos ju besojnë teorive konspirative rreth përbërjes së vaksinës anti-COVID-19.
“Nuk kanë nevojë të ju besojnë filozofive se çka ka vaksina dhe çka jo sepse është e bërë nga shkencëtarët, ekspertët.. njëjtë sikur barnat tjera që shiten dhe të gjithë i blejmë, njëjtë është edhe kjo vaksinë”, përfundon Ramadani.
Në kohën kur të tjerët po vaksinohen, në anën tjetër infektimet me COVID-19 po shtohen.
Shqyrtimi i masave të reja antiCOVID-19
Raportet e Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik tregojnë se gjatë javës së fundit rastet e reja çdo ditë kanë qenë mbi 700, ndërsa gjatë së mërkurës kjo shifër u trefishua.
Si rrjedhojë, zëdhënësi i Ministrisë e Shëndetësisë, Faik Hoti, në një përgjigje për SHQIP.com ka thënë se Komitetit koordinues do të mblidhet gjatë së enjtes për propozimin e masave të reja.
“Sot mbahet takimi i Komitetit koordinues dhe vlerësues për COVID-19 për të shqyrtuar propozimet për masa te reja. Çfarë vendoset do të bëhet e ditur për publikun kur të jenë dhënë e miratuar propozimet”, ka thënë Hoti.
Në anën tjetër, nga IKSHPK-ja ka ngritur alarm se gjendja epidemiologjike mund të përkeqësohet në ditët në vazhdim.
“Omicron po shton intensitetin çdo ditë dhe është varianti dominues në qarkullim. Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet edhe më shumë ditët në vazhdim, andaj IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët që të respektohen masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në apelin e IKSHPK-së.
Sipas të dhënave të fundit nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës në trajtim mjekësor janë 90 pacientë nga Covid-19.
Prej tyre, 52 të konfirmuar me Covid-19 pozitivë dhe 38 të tjerë post- Covid-19. /Insajderi.com