Maloku dhe Lumezi injoruan për dy muaj ofertën e Ambasadës Britanike për procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit (Dokument)

Maloku dhe Lumezi injoruan për dy muaj ofertën e Ambasadës Britanike për procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit (Dokument)

Për dy muaj rresht Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë është injoruar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës lidhur me procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit.

Sipas dokumenteve të siguruara nga “Betimi për Drejtësi”, kjo ambasadë kishte insistuar që të merrte përgjigje nga kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku dhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, lidhur me ofertën e tyre për mbështetje të këtij procesi, por pa sukses.

Pas këtij injorimi, KPK më 12 janar 2022 kishte marrë vendim që të shpallë konkursin për Kryeprokuror të Shtetit. Në letrat e komunikimit ndërmjet Ambasadës Britanike dhe Këshillit Prokurorial, rezulton se vendimi për shpalljen e këtij konkursi pa mbështetjen e ambasadës, ishte cilësuar si befasues nga këta të fundit.

Në komunikimin e datës 20 janar 2022, Ambasada Britanike theksonte se përgjatë dy muajve të fundit, stafi i saj, u ka shkruar kryesuesit Maloku dhe kryeprokurorit Lumezi, duke kërkuar përgjigje lidhur me ofertën e tyre për mbështetje më të ngushtë përmes Projektit të Rekrutimit, marrë parasysh faktin se pozita e Kryeprokurorit të Shtetit është një ndër më të rëndësishmet në hierarkinë institucionale.

Kjo mbështetje në procesin e rekrutimit, sipas Ambasadës Britanike, ishte më përmbajtjesore se vetëm monitorimi i thjeshtë apo pasiv dhe përfshinte gjithë procesin si të tillë.

Injorimi që i është bërë përkrahjes së ofruar nga Ambasada Britanike lidhur me përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, nga ana e Këshillit dhe kryeprokurorit Lumezi ka bërë që kjo e fundit të tërhiqet plotësisht nga monitorimi i këtij procesi.

“Ne ju kemi qartësuar se përfshirja Britanike në procesin e rekrutimit është më përmbajtjesore se vetëm monitorim i thjeshtë/pasiv. Ajo përfshinë gjithë procesin, që nga draftimi i konkursit e deri te poentimi i kandidatëve. Ne gjithashtu kishim ofruar prezantim për gjithë anëtarët nga ana e ekspertëve tanë”.

“Në këtë ofertë ne kurrë nuk morëm përgjigje nga ju. Në këto rrethana, stafi i Ambasadës Britanike nuk do të merr pjesë në monitorimin e këtij procesi që ne konsiderojmë si vëzhgues pasiv. Sidoqoftë, urojmë që ky proces të dëshmojë vlerat më të larta në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri”, thuhet në letrën e komunikimit që Ambasada Britanike i ka dërguar KPK-së.

Ndërsa, në letrën e komunikimit që mban datën 13 janar 2022, Ambasada Britanike kishte sqaruar se përfshirja e Ambasadës Britanike në këtë proces rekrutues ka pasur për qëllim ngritjen e transparencës, në partneritet të plotë me KPK. Në këtë letër thuhet se Ambasada Britanike pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit e ka cilësuar si tepër të rëndësishme jo vetëm për shoqërinë kosovare, por edhe për vetë ata, marrë parasysh nivelin e ulët të besueshmërisë së qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Ambasada Britanike ka vlerësuar se komunikimi i drejtë me partner e bën të nevojshme marrjen e një përgjigjeje formale nga ana e KPK, sidomos pas insistimit gati dy mujor të stafit të kësaj ambasade. Kjo ambasadë, ka uruar që ky proces të shkojë mirë, të jetë transparent dhe meritor, përkundër shqetësimit të tyre, që pavarësisht mbështetjes tashmë disa vjeçare, Këshilli Prokurorial ende i ka dyert e mbyllura për partneritet dhe transparencë.

Ndërsa, kryesuesi i KPK-së Jetish Maloku, në letrën e tij zyrtare të dërguar në adresë të Ambasadës Britanike më 13 janar 2022, ka njoftuar këta të fundit se KPK, konform Rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës ka vendosur për shpalljen e konkursit për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, duke pasur parasysh limitet kohore.

Në këtë letër Maloku sqaron se lidhur me këtë veprim, ata kanë njoftuar paraprakisht përfaqësuesit ndërkombëtar që mbështesin sistemin prokurorial të Kosovës, duke përfshirë edhe përfaqësues të Ambasadës Britanike në Kosovë, si një ndër partnerët e tyre kryesor.

Për këtë qëllim, Maloku në këtë letër ka sqaruar se përfaqësuesve të kësaj ambasade paraprakisht u është dërguar ftesa për të marrë pjesë në takimin e KPK-së të mbajtur më 12 janar 2022, përmes të cilës u është përcjellë agjenda, ku pikë e rendit të ditës ka qenë shpallja e konkursit për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka shpallur konkurs për emërimin e Kryprokurorit të Shtetit.

Kjo pasi Aleksandër Lumezit, i cili aktualisht ushtron këtë pozitë, i përfundon mandati më 21 prill 2022.

Lumezi mandatin e tij në këtë pozitë e kishte filluar më 21 prill 2015, pas dekretimit të tij nga ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, për një mandat shtatëvjeçar, pa mundësi riemërimi.

Konkursi për këtë pozitë, sipas Rregullores Nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, duhet të shpallet nga KPK 90 ditë para skadimit të mandatit të Kryeprokurorit aktual të Shtetit.

Konform Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, mandati i Kryeprokurorit të ri të Shtetit do të jetë shtatëvjeçar, pa mundësi riemërimi./Insajderi.com