Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas progresit të Kosovës në luftën kundër korrupsionit duke u renditur në vendin e 87-të nga 180 vende, përcjell Insajderi.com.
Përmes një postimi në Facebook, ajo theksoi se kanë synim që brenda mandatit, Kosova “të arrijë mesataren globale dhe t’i afrohet mesatares evropiane”.
Ndryshe, ky reagim erdhi pasi që Kosova ka shënuar përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit duke marrë 39 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International.
Këtë vit Kosova është radhitur e 87-ta, duke shënuar përparim krahasuar me vitin e kaluar kur ishte e 104-ta me 36 pikë.
Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik.
Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri./Insajderi.com