Dy persona të infektuar me Coronavirus, të cilët po trajtoheshin në Klinikën Infektive, kanë vdekur këtë të mërkurë.
Lajmin e ka konfirmuar infektologu dhe deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi ku është diskutuar rreth situatës epidemiologjike në vend.
Dreshaj mes tjerash ka ngritur shqetësimet e punëtorëve shëndetësorë dhe pakënaqësitë për pagat e ulëta.
“Ajo që mund të bëjmë është që të jemi të përkushtuar maksimalisht për punën dhe pacientin si dhe të mos e mendojnë pas përmbylljes së orarit të punës të mendojmë për një punë shtesë. Nuk ka opozitë në raport me menaxhimin e pandemisë”.
“Ka disa shqetësime që duhet t’I ngrisim dhe të jemi në nivelin e rekomandimeve. Të gjitha vendet e rajonit kanë qenë me pandemi me omicron një muaj para neve. Nuk ndalen infeksionet rrespiratore në kufi as me polica as me masa. Tri ditët e fundit i kemi 4 të vdekur, sot janë dy, pardje kanë qenë dy”, ka deklaruar Dreshaj.
Ai ka kritikuar stafin mjekësor se nuk po i respekton masat, veçanërisht në Klinikën Infektive. E ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, u shpreh se “është shqetësuese nëse relaksohemi në këtë situatë”.
Që nga fillimi i pandemisë, numri i të vdekurve në Kosovë nga COVID-19 është mbi 3 mijë./Insajderi.com