Osmani: Nuk kemi pranuar propozime të reja për Asociacionin

Osmani: Nuk kemi pranuar propozime të reja për Asociacionin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi këtë të hënë se ndërkombëtarët asnjëherë nuk kanë dhënë propozime që janë duke u përmendur, për një autonomi të zgjeruar apo Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca ekzekutive.

Para mediave, ajo u shpreh se modele që do ta shndërronin Kosovën në shtet jofunksional “as nuk na kërkohen, as nuk i pranojmë”.

“Dua ta qartësoj se propozimet për të cilat po përflitet për kinse autonomi të zgjeruar apo ndonjë lloj Asociacioni me kompetenca ekzekutive, asnjëherë nuk i janë prezantuar palës sonë, pra institucioneve të republikës së Kosovës”, deklaroi Osmani.

Mes tjerash, fajësoi ish-udhëheqësit e shtetit të Kosovës, për të cilët tha se kanë nënshkruar “marrëveshje të dëmshme”, që Asociacionit i kanë dhënë kompetenca ekzekutive.

“Ajo që është problemi i madh është se kanë qenë përfaqësues të Republikës së Kosovës ata që kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme të cilat Asociacionit i kanë dhënë kompetenca ekzekutive. Pra, duhet ta themi një realitet që është, sepse është e zeza në të bardhën, është letër e nënshkruar nga ish-kryeministra të Kosovës dhe përgjegjësia duhet të merret si e tillë”.

Të njëjtit sipas saj, tani kanë tendenca ta hedhin përgjegjësinë te komuniteti ndërkombëtar dhe “të fshihen pas tij”

Por, kjo shtoi Osmani, nuk i bën nder Kosovës.

“Qëndrimet tona sa i përket Asociacionit kanë qenë të qarta, nuk është që janë befasi për ndokënd, përfshirë edhe për miqtë tanë ndërkombëtarë. Prandaj, ne jemi duke diskutuar me ta si ta shtyjmë përpara procesin e dialogut, drejt asaj që është zgjidhja e vetme jo vetëm për ne si Kosovë, por për gjithë rajonin, e që është njohja e ndërsjellë”.

Këto deklarata Osmani i bëri të hënën para mediave, pas homazheve në sheshin e Dëshmorëve në Podujevë./Insajderi.com