Abdixhiku e quan “teatër politik” arrestimin e Molliqajt

Abdixhiku e quan “teatër politik” arrestimin e Molliqajt

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si “teatër politik” arrestimin e kreut të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqajt.

Megjithatë, i pari i LDK-së tha se nuk e arsyeton sulmin e Molliqajt ndaj zyrtarit policor në protestën e së shtunës kundër shtrenjtimit të rrymës.

“E kam quajtur edhe teatër politik. Sepse, për ta bërë të qartë zëshëm, besoj që sulmi ndaj policisë nuk ka epilog tjetër përveç përgjigjes para organeve të rendit. Por, mënyra si mund të përgjigjen para organeve të rendit njerëzit me post politik, besoj që mund të bëhet ndryshe”, deklaroi Abdixhiku të enjten në RTV Dukagjini.

“Nuk besoj që komunikimi i duhur do të sillte një situatë të tillë. Por, nuk dua të arsyetoj fare dhunën e ushtruar ndaj policit, i cili njëtrajtësisht përballet me rritjen e çmimit të energjisë elektrike që është brenga e tij dhe secilit tjetër”.

Mes tjerash, ai shtoi se kishte reaguar edhe kur ishin arrestuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, kur kjo parti ishte në opozitë.

“Unë kam ngre zërin edhe shumë vite më parë kur deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje ngriheshin zhag nëpër sheshet e Prishtinës. Mendoj që qasja ndaj njerëzve publikë duhet të jetë pak më dinjetoze”.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj u arrestua të martën e 1 janarit për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” kur goditi zyrtarin policor gjatë protestës të së shtunës kundër shtrenjtimit të rrymës.

I njëjti të enjten mbrëma është liruar dhe ndaj tij Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraqitjes në stacion policor./Insajderi.com