Mediat raportojnë se Millan Radojiçiq i ka ikur Policisë së Kosovës

Mediat raportojnë se Millan Radojiçiq i ka ikur Policisë së Kosovës

Millan Radojiçiq ka arritur t’i arratiset Policisë së Kosovës në pikën kufitare me Serbinë, Bërnjak.

Siç raporton Kallxo.com, Radojiçiq ishte vendosur në listën e të kërkuarve para pak ditësh.

I njëjti, sipas raportimit të këtij mediumi, ishte duke udhëtuar nga Serbia për në Kosovë.

Rrethanat se si policët i kanë mundësuar këtë arratisje ende nuk janë zbardhur, ndërsa një grup hetimor po heton veprimet e policëve.

Millan Radojiçiq dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviqit.

I njëjti ishte shpallur në kërkim lidhur me këtë rast, ndërsa pas një kohe ishte fshirë nga lista e kërkimit me vendim të prokurorit që po e hetonte çështjen.

Por, më vonë, Prokuroria Speciale sërish e kishte vendosur në listën e personave të kërkuar.

Kjo është hera e dytë që Radojiçiq arrin t’i arratiset Policisë së Kosovës.

Dy vite më parë ai ishte larguar nga banesa e tij pak minuta para se Njësitë Speciale të tentonin ta arrestonin./Insajderi.com