Komiteti për menaxhim të pandemisë COVID-19, të enjten propozoi lehtësim të masave anti -COVID, të cilat pritet që sot të miratohen nga Qeveria e Kosovës.
Në kuadër të këtyre propozime, është edhe kufizimi i lëvizjes deri në orën 24:00, ndërsa orari i lokaleve të gastronomisë është lejuar deri në 23:00.
Gjithashtu u rekomandua që hyrja në Kosovë të jetë me dy vaksina pa pasur nevojë për testin PCR.
Latifi, të premten theksoi se situata pandemike është më e qetë kështu që mund të ketë lehtësim të tyre.
Mirëpo, sipas tij nëse është e nevojshme brenda natës do ketë ashpërsim të masave.
“Nëse ora policore është shtyrë në orën 24:00 ata në restorant mundem me qenë deri në orën 23:00… Në bazë të dhënave që kemi jemi në gjendje t’i zvogëlojmë masat, t’i zbusim pak ato. Por t’iu them edhe njëherë, ne përcjellim gjendjen për çdo ditë, nëse duhet t’i shtojmë prapë masat ne i shtojmë krejt varet prej asaj se çka ngjan me statusin epidemiologjik… Këto miratohen nesër (premte) nga Qeveria dhe ne do vlerësojmë situatën çdo javë nëse duhet t’i ndërrojmë, ne i ndërrojmë edhe brenda natës, por shpresoj që nuk do të kemi nevojë… Masat hyjnë të shtunën në mëngjes”, tha ai.
Ndërkaq, deri tani puna e gastronomisë lejohet deri në orën 21:00, ndërsa ora policore nis nga ora 22:00 deri në 05:00.