“M’u vërsul dhe më shau”, ka thënë Ilir Kërçeli, shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, kur ka komentuar incidentin që ndodhi në mes tij e deputetit të Lidhjes Demokratike, Arben Gashi, derisa po mbahej mbledhje e kryesisë së Kuvendit.
Në prononcim për Klan Kosovën, Kërçeli deklaroi se sulmi ishte i njëanshëm pasi ai vetë nuk bëri gjë.
“Prej meje s’ka pasur përpallje, unë vetëm kam hesht. (Arben Gashi) Më është vërsul dhe më ka sha”.
“Mbledhja dështoi për shkak se kryetari i Kuvendit e kishte marrë me vete edhe shefin e kabinetit i cili ka bërë shkelje të detyrave të tij. Ne kërkuam që ai të mos ishte prezent. Kryetari nuk pranoi të largohet dhe mbledhja dështoi. Kryetari i kabinetit përveçse ka thënë të pavërteta, ka përdorur të vërteta të pjesshme duke tentuar të denigrojë deputet të caktuar”, tha Gashi.
Deri te ky zhvillim ka ardhur pasi Kërçeli ka postuar në llogarinë e tij në Facebook një shkrim ku thotë se ka deputet që për shpenzimet e karburantit është kompensuar deri në 10 mijë euro. U raportua se Kërçeli e kishte fjalën pikërisht për Gashin në tekstin e tij.
Por, Gashi ka thënë në konferencë se e ka sqaruar këtë pjesë me këshilltarin e Konjucës dhe “ai (Kërçeli) tha që nuk e ka bërë shkrimin për mua dhe se nuk është drejtuar ndaj meje”.
Megjithatë Gashi ka shtuar se ka kërkuar nga Kërçeli që të dal me emra konkretë se kush qenkan deputetët që harxhuan aq shumë nga paraja publike.
Debati rreth shpenzimeve për karburante filloi javën e kaluar kur u publikuan shifrat se sa kompensoheshin deputetët për shpenzime të udhëtimit.
Siç u pa nga të dhënat, kishte deputetë që nuk kanë vetura fare e kompensohen dhe gjithashtu të tjerë që jetojnë në Prishtinë, por në formularë kanë shkruar vendet e tyre të lindjes, për të përfituar kështu para nga Kuvendi./Insajderi.com