Publikohet lista e plotë e shpenzimeve për udhëtime që i kanë bërë deputetët nga viti 2011

Publikohet lista e plotë e shpenzimeve për udhëtime që i kanë bërë deputetët nga viti 2011

Kuvendi i Kosovës ka publikuar të martën shpenzimet e udhëtimeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për periudhën 2011-2021.

Publikimi i këtij raporti vjen pas reagimeve të shumta për listën me shumat me të cilat janë kompensuar deputetët për udhëtime për pjesëmarrje në seanca apo komisione parlamentare.

Sipas njoftimit, në këto shpenzime përfshihen të gjitha mënyrat e udhëtimit.

“Bazuar në interesimin dhe kërkesat e shumta të mediave për qasje në shpenzimet e udhëtimit të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për periudhën 2011-2021, në vazhdimësi të transparencës si dhe në funksion të interesit publik, në linkun e mëposhtëm gjeni shpenzimet e udhëtimit të deputetëve për periudhën e lartcekur”, thuhet në njoftim.

Shpenzimet e deputetëve mund t’i gjeni KËTU.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët udhëtojnë për të marrë pjesë në seancat dhe komisionet funksionale në Prishtinë kompensohen me mjete financiare për shpenzimet e karburantit.

Mirëpo, praktika e tillë e kompensimit po kritikohet nga qytetarët të cilët e shohin të paarsyeshme marrjen e këtyre kompensimeve ngase “deputetët kanë paga të larta”.

Vendimi mbi kompensimin e deputetëve daton nga 10 tetori 2011 dhe parashihet që të kompensohen deputetët të cilët marrin pjesë në punimet e seancës dhe komisionet e caktuara ku deri në 30 kilometra udhëtim kompensohen me 10 euro, pastaj deri në 60 kilometra me 20 euro si dhe mbi 60 kilometra me 30 euro./Insajderi.com