Grupet punuese nga Kosova dhe Serbia do të takohen në Bruksel këtë muaj për të diskutuar rreth zgjidhjes se çështjes së targave.
Këtë e ka bërë të ditur për Shqip.com, zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano.
Sipas tij, nga diskutimet të cilat janë zhvilluar tani është krijuar një lloj qartësie sesi duhet ecur para në këtë proces.
“Mbledhja e katërt e grupit punues për targat është mbajtur me 28 janar 2022. Diskutimet për gjetjen e një zgjidhje të përhershme për targat ka prodhuar më shumë qartësi për modalitetet të cilat mund të promovohen me qëllim që të sigurojmë lëvizjen e lirë të njerëzve në regjion”
“Grupi punues takohet rregullisht për të prezantuar të gjeturat e tyre. Grupi punues do të mblidhet serish këtë muaj”, ka thënë ai.
Në lidhje me këtë çështje Shqip.com ka adresuar pyetje edhe Qeverisë së Kosovës mirëpo ata nuk kthyer përgjigje.
Ndërkaq shoqëria civile është optimiste se do të gjendet një zgjidhje për çështjen e targave.
Artan Demhasaj nga organizata “Çohu”, deklaron se nuk sheh ndonjë pengesë për arritjen e një marrëveshje.
Ka vërejtje për Qeverinë e Kosovës e cila sipas tij duhet të tregohet më transparente karshi publikut për dialogun.
“Nuk shoh ndonjë problem të madh në këtë pikë sepse e shohim se dyja palët kanë pranuar që të vendosin stickersat në targa”
“Palët do të pajtohen dhe nga Bashkimi Europian si shenjë e vullnetit të mirë që kanë dy palët për të arritur marrëveshje. Qeveria e Kosovës duhet të tregohet më transparente për fazat e dialogut”, ka thënë Demhasaj.
Ndërkaq Kushtrim Kadriu nga Lëvizja “Vatra” thotë se banorët e Luginës së Preshevës të cilët qarkullojë nga Serbia në Kosovë dhe anastjelltas nuk kanë shfaqur ndonjë shqetësim në lidhje me këtë çështje.
“Banorët e Luginës nuk kanë ndonjë shqetësim thjesht po i vendosin ato stickersat kur po kalojnë kufirin. Tash ato zgjidhjet për tabelat është përgjegjësi më shumë e e Qeverisë”, është shprehur ai. /Shqip.com
Marrëveshja për stikerët ishte arritur në mes dy shteteve në shtator të vitit 2021, me ndërmjetësimin e BE-së.
Ajo parasheh që shtetet të ua mbulojnë simbolet shtetërore njëra- tjetrës në targat e automjeteve.
Para kësaj marrëveshje, Kosova kishte vendosur masën e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe çdo automjet i cili futej në Kosovë ishte detyruar të vendoste tabelat e përkohshme.
Mirëpo, kjo nuk ishte mirëpritur nga Serbia e cila përmes strukturave paralele në Mitrovicën e Veriut bllokoi rrugët në drejtim të kufijve Jarinje dhe Bërnjak.
Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës kishte dërguar njësitet speciale të policisë me qëllim që të implementojë masat e reciprocitetit /Insajderi.com