Eligerta Lloqani, studente e Psikologjisë dhe Logopedisë në Prishtinë, e konsideron si shumë të gabuar rritjen e çmimit të biletave në pesë euro, për rrugën Prishtinë – Gjakovë dhe anasjelltas.
Sipas Eligertës, ky çmim është i papërballueshëm.
“Shtrenjtimi i biletës me pesë euro është çmim i paarsyeshëm për një student, sepse këtu në Prishtinë shpenzimet janë shumë të mëdha”, thotë ajo.
Njëjtë mendon edhe Alba Sahatqija studente në Universitetin “Hasan Prishtina”.
Edhe për të, çmimi i ri i biletës është i papërballueshëm.
“Duke marrë parasysh se ne të gjitha vendet tjera ka zbritje për studente ky vendim është i papranueshëm. Ky çmim ndikon shumë që të mos shkoj në Gjakovë gjatë vikendit te familja ime’, ka thënë Sahtqija.
Ndërsa, kryetar i Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishaj, ka deklaruar se për rritjen e çmimit të biletave vendosin vetë transportuesit.
“Ne (shoqata) nuk vendosim as me i rritë e as me i ulë çmimet. Për këtë çështje vendosin vetë ata”, deklaroi Kurtishaj për Shqip.com.
Gjatë ditës së hënë është vendosur që tash e tutje çmimi për studentë që udhëtojnë nga Prishtina në Gjakovë dhe anasjelltas të jetë pesë euro.
Si arsye për rritje çmimesh është dhënë rritja e çmimit të derivateve. Para të hënës, kur edhe u njoftua për rritjen, bileta kushtonte një euro më pak – katër. Distanca me autobus nga Prishtina në Gjakovë dhe anasjelltas është 83 kilometra./Insajderi.com