17 shkurti i vitit 2008 – nuk simbolizon vetëm shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.
Është më shumë se kaq.
Nga – ajo ditë, sporti kosovar doli nga izolimi.
Kufijtë u “zhdukën” për sportet.
Pranimi i Kosovës në FIFA
Pritën shumë, por vuajtjeve u erdhi fundi.
Me 23 maj të vitit 2012, Kosova u bë pjesë e FIFA-s, që mbetet një vulë e pashlyeshme në historikun e sportit vendor.
I ndjeri, Fadil Vokrri, që asokohe ishte i pari i FFK-së, me lot në sy kishte falënderuar të gjithë njerëzit që e bënë të mundur këtë sukses.
“I falënderoj të gjithë që na kanë mbështetur, administruesit, lojtarët dhe ata që i duartrokitën këtij vendimi. Lojtarët e vendit tim kanë pritur mjaft gjatë për këtë vendim, që të jenë pjesë e familjes së futbollit. Po flasim për një regjion që jo larg ka kaluar nëpër luftë dhe po flas në emër të atij regjioni, duke iu përkushtuar vlerave të FIFA-s”.
Ky pranim në shtëpinë më të madhe të futbollit – i hapi rrugën Kosovës që pastaj të garojë për kualifikimet e Kupës së Botës, që u mbajt në vitin 2018 – në Rusi.
FBK-ja u pranua në FIBA
14 marsi i vitit 2014 – ishte dita kur basketbolli i Kosovës e mori lajmin më të madh që nga paslufta.
Federata e Basketbollit të Kosovës u pranua në FIBA.
Në mbledhjen e mbajtur në Gjenevë, u vendos që FBK-ja të jetë pjesë e shtëpisë së basketbollit.
Pasi një kërkese për anëtarësim të dërguar me 5 shkurt, përgjigja doli të jetë pozitive.
“Federata e Basketbollit e Kosovës me këtë rast dëshiron të falënderojë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FIBA-s, Sekretarin e Përgjithshëm të FIBA-s, z. Patrick Baumann, Kryetarin e FIBA Evropës, Turgay Demirel, si dhe të gjithë zyrtarët e organizatës botërore të basketbollit që kanë kontribuar në marrjen e këtij vendimi”, thuhej në njoftimin e dhënë nga FBK-ja.
Që nga atëherë, Përfaqësuesja e Kosovës – ka pasur fatin që të marrë pjesë në disa parakualifikime.
Por, qëllimin për të siguruar një biletë për Kampionat Botëror ose Evropian nuk e kanë arritur dot.
Ama, gjithsesi, ndër vite sukseset në nivel ekipi nuk kanë munguar.
Në të njëjtin vit, një muaj më pas – Prishtina ishte shpallur kampione e Ballkan Ligës, që mbetet një nga arritjet më të mëdha të basketbollit vendor.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e “njohu” Kosovën
Kosova – pranohet në Komitetin Ndërkombëtar
Viti 2016 – ishte fillimi i lavdisë së Kosovës – në xhudo.
Por, që të arriheshin sukseset e mëvonshme, fillimisht Kosova u deshtë të pranohej në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Ky synim u arrit në sesionin e 127-të të KON-it, i cili u mbajt në Monako, më 9 dhjetor 2014
Pranimi në KON u hapi rrugën shumë federatave sportive në Kosovë të anëtarësohen me të drejta të plota në federatat përkatëse ndërkombëtare.
Bordi Ekzekutiv i IOC-së, kishte vënë në dukje se Komiteti Olimpik i Kosovës i kishte përmbushur kërkesat për pranim të përshkruara në Kartën Olimpike.
Aty u përfshinë kriteret sportive dhe teknike si dhe përkufizimin e “vendit”, sipas përcaktimit në Rregullin 30.1 – “një shtet i pavarur i njohur nga bashkësia ndërkombëtare”.
Medalja e parë – e artë
Me palestra të ftohta, e pa përkrahje financiare.
Por, me vullnet dhe dashuri të madhe për xhudon.
Kështu ishte fillimi i Majlinda Kelemendit – e cila e “theu akullin” në sportin e xhudos.
Xhudistja nga Peja e shkroi historinë – në vitin 2016 – kur në Rio e rrëmbeu medaljen e artë – në Lojërat Olimpike. E para për shtetin e Kosovës.
Kjo medalje – nuk ishte vetëm sinonim i vendit të parë, por shpërblim i mundit dhe djersës së derdhur ndër vite.
Milionat e refuzuara për ta përfaqësuar ndonjë shtet tjetër – iu shpërblyen me lavdi.
Ky triumf historik – ishte edhe një tregues i mentalitetit të kampiones – që ka Kelmendi dhe një “hakmarrje”. Ishte hakmarrje sepse Majlinda e mposhti në çerekfinale Christianne Legentil, nga e cila kishte pësuar humbje në vitin 2012 në Lojërat Olimpike të Londrës.
Ky triumf i saj ishte vetëm fillimi i një karriere të bujshme – gjatë të cilës ajo e “sundoi” botën dy herë, ishte katër herë “mbretëreshë” e Evropës dhe doli fituese e katërfishtë në Grand Slamin e Parisit.
Dardanët e filluan “ekspeditën”
Më 5 mars 2014, ‘Dardanët’ e filluan “ekspeditën”.
Në stadiumin “Adem Jashari” – Përfaqësuesja e Kosovës, e zhvilloi ndeshjen e parë ndërkombëtare, me lejen e FIFA-s.
Në këtë takim, rezultati 0-0 doli në plan të dytë.
I rëndësishëm ishte fakti që Kosova tashmë kishte një Përfaqësuese.
Ani pse ky takim qe i nivelit miqësor, stadium në Mitrovicë ka qenë i stërmbushur.
Madje, shumë tifozë mbeten jashtë stadiumit – pasi dëshira për t’i parë Dardanët ishte e madhe.
Në këtë ndeshje, përzgjedhës ishe Albert Bunjaki.
Kurse, në formacionin startues luajtën: Samir Ujkani, Loret Sadiku, Avni Pepa, Fanol Përdedaj,
Kristjan Nushi, Ardian Gashi, Enis Alushi, Shpëtim Hasani, Albert Bunjaku dhe Ilir Azemi.
Fati i buzëqeshi hendbollit
Vazhdës së sukseseve – nuk mbeti pa iu bashkuar as hendbolli.
Ani pse ky sport – ndonjëherë nuk e ka vëmendjen e merituar, gjërat kanë shkuar mirë për ta.
Hendbolli kosovar do të ndërkombëtarizohej në vitin 2015, në Sochi të Rusisë.
Asokohe, Kosova u bë anëtarja numër 200 e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF).
Ani pse kishte disa shtete kundër, delegacioni kosovar në krye me Eugen Saraçinin – arriti që të grumbullonte votat e duhura për të avancuar tutje.
Sukseset – ndër vite nuk munguan.
Ndër arritjet më të mëdha ishte – i Kosovës U18 në IHF Trophy Intercontinental, pasi në finale e kishte mposhtur Britaninë e Madhe me rezultatin 36:31.
Teksa, qershia mbi tortë mbeti kualifikimi i grup moshave U-21 në Kampionatin Botëror – në vitin 2019 – në Sarajevë.
Kjo ishte hera e parë që Kosova arriti të marrë pjesë në një kompeticion të tillë.
Superliga doli nga “izolimi”
Pranimi në FIFA i hapi shumë rrugë jo vetëm Përfaqësues, por edhe skuadrave.
Ekipi i parë që e pati fatin të luante në Evropë – ishte Trepça 89.
Skuadra nga Mitrovica u shpall kampione e Kosovës në vitin 2017.
Për herë të parë, një ekip nga Kosova e pati fatin që të luante një ndeshje konkurruese – jashtë kufijve – që pas shpalljes së Pavarësisë.
“Minatorët” u përballen me Vikingurin – një ekip nga ishujt Faraoe.
Pas dy takimeve, 89-shi nuk arriti që të kualifikohej tutje, duke u eleminuar qysh në xhiron e parë.
Përkundër humbjes, ajo ndeshje mbeti në histori – sepse futbolli Kosovar “doli nga izolimi”.
Që nga atëherë, ndryshimet në Superligë janë astrononike – si në aspektin financiar ashtu edhe në atë infrastrukturor.
Vashat e arta dardane
Në Tokio zbarkuan pa zhurmë. Por, u kthyen si “mbretëresha”.
Distria Krasnqi dhe Nora Gjakova rrëmbyen medalje të arta në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, për t’i treguar botës – që ani pse vijnë nga një vend i vogël, puna, pasioni, talenti dhe dashuria që e kanë për këtë sport është e madhe.
Distria është medalistja e dytë e artë olimpike e Kosovës, pas Majlinda Kelmendit, e cila ishte shpallur kampione në “Rio 2016″.
Krasniqi pati një rrugëtim të vështirë deri në finale, ku më pas mposhti xhudisten japoneze, Funa Tonakin.
Kurse, Gjakova kishte mposhtur në gjysmëfinale japonezen, Tskukasa Yoshida që ishte dhe pretendentja kryesore në peshën deri në 57 kg.
Ndërsa, në finale e kishte “gjunjëzuar” xhudisten franceze, Sarah Leonie Cysique, me ippon.
Kështu, në Kosovë u kthyen të arta. Por, kjo nuk është e gjitha. Në votimin e hapur nga Federata Botërore e Xhudos, Distria u votua dhe u zgjedh xhudistja më e mirë në glob për vitin 2021.
Teksa, ajo së bashku me Gjakovën – renditen të parat edhe në ranglistat botërore – në kategoritë përkatëse.
Një vit historik, jo vetëm për to, por edhe për Kosovën.
Kampioni i Evropës
U rrëzua disa herë, por nuk e mendoi dorëzimin si opsion. Ai mendoi vetëm se si të ngrihej më i fortë herën tjetër.
Mundi dhe punua iu shpërblyen. Akil Gjakova u shpall kampion i Evropës, në kampionatin e mbajtur në Portugali.
Akili, pati përballje të vështirë, ama ishte përgatitur maksimalisht për fitore.
Në xhiron e parë ishte i lirë, kurse në përballjen e parë fitoi me Ippon kundër garuesit nga Izraeli, Ido Levin.
Gjakova në ndeshjen e dytë mposhti poashtu me Ippon garuesin gjerman, Anthony Zinggm kurse në çerekfinale mposhti me 3 dënime për Ippon rusin, Musa Mogushkov.
Në gjysmëfinale ai mposhti me Ippon zviceranin, Nils Stump, teksa për medaljen e artë e mposhti me Ëazaari garuesin nga Izraeli, Tohar Butbul.
Edhe ky sukses i “faturohet” Driton Kukës, i cili e mbështeti Akil Gjakovës – në çdo hap.
Trajneri më i mirë në botë
Të besosh në ëndrrat e të tjerëve, pa interes është e shenjtë.
Driton Kuka, jo vetëm që i besoi, por edhe i qëndroi prapa në çdo hap xhudistëve nga Kosova, të cilat prekën majat e këtij sporti.
Ai u zgjedh trajneri më i mirë në botë për xhudo për vitin 2021.
Ndërsa, në Lojërat Olimpike të vitit 2020, ai rrëmbeu dy medalje të arta me Distria Krasniqin dhe Nora Gjakovën, duke e vazhduar rrugën e sukseseve – të cilën e kishte nisur Majlinda Kelmendi.
Kuka ishte i nominuar në mesin e shumë trajnerëve të mëdhenj të këtij sporti dhe arriti që të dalë fitues në fund.
Ai ishte në garë me Yvonne Boenisch, Robert Eriksso, Koesi Inou dhe stafin e kombëtares franceze.
Por, kjo nuk ishte e gjitha, pasi edhe Akil Gjakova ishte shpallur kampion i Evropës – dhe një pjesë e “faturës” i takon Dritonit.
Ky është një sukses historik për Kosovën dhe sportin vendor në përgjithësi.
Ndarja e këtij çmimi u bë pas votimit online – ku të drejtë vote kishin e gjithë bota – deri me datën dhjetë dhjetor.
Dita më e madhe për basketbollin – në konkurencën e femrave
Në vitin 2020, basketbollit të femrave i buzëqeshi fati.
U krijua Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll, por kjo nuk është e gjitha.
Vashat dardane murrën pjesë në garat evropiane – duke shënuar një ngjarje historike.
Ëndrra shumëvjeçare basketbollisteve që të veshin fanellën e Kosovës u realizua.
Teksa, edhe më të bukur këtë sukses e bëri fakti që në pozitën e sekretares së FFK-së ishte një femër, Elvira Dushku.
“Shumë gjenerata kanë ëndërruar, punuar e luajtur me vite të tëra, por nuk kanë pasur mundësi të luajnë për Kosovën A në garat zyrtare. Sot, këtë nder dhe kënaqësi e kanë vashat e Kosovës. Ekipi i Kosovës përbëhet nga lojtare me përvojë, por edhe të reja. Besojmë se kjo është mënyra më e duhur për të përfaqësuar vendin tonë në garat ndërkombëtare”, ishte shprehur Dushku.
Nga Kosova – në majat e futbollit evropian
Karrierën e nisën në Kosovë, por ëndrrat i kishin të mëdha.
Suksesin e “kapën”, por vetëm pas një pune dhe përkushtimi të palodhshëm.
Milot Rashica, Edon Zhegrova, Amir Rrahmani dhe Vedat Muriqi janë “katërshja fantastike” që nga toka dardane arritën ta “shpërthejnë” në ligat e Evropës
Milot Rashica
Vushtrria u shpall kampione e Superligës së Kosovës në vitin 2014.
Nën urdhrat e Ismet Munishit, një djalosh 17-të vjeçar i quajtur Milot Rashica luante rregullisht në sulm.
Shpejtësia dhe aftësitë dribluese të mëdha ishin elementet që e karakterizonin këtë futbollist.
Por, ai nuk do qëndronte gjatë në Vushtrri, pasi kualitetet e tij – ishin të një tjetër niveli.
Në vitin 2015, ai vendosi që të bënte lëvizjen e parë në karrierë – jashtë Kosovës.
Rashica iu bashkua klubit holandez, Vitesse. Ndonëse tempoja dhe niveli i lojës ishte larg nga ai i Kosovës, për Milotin kjo nuk paraqiti problem.
Për tre vjet, sa qëndroi aty – forma e tij sa vinte e bëhej më e mirë, teksa as ofertat nuk munguan.
Koha kishte ardhur për një ndryshim ambienti në vitin 2018 dhe kështu mendoi edhe Rashica.
Ai vendosi që t’i bashkohej Ëerder Bremenit, skuadër që për shërbimet e tij pagoi 5 milionë euro.
Në Ëerder – për një kohë shkurtër ai u bë një nga futbollistët më të pëlqyer të publikut, teksa e mori nofkën “Rocket Man”.
Por, pas dy vjete, Miloti ndryshoi përsëri ambient, pasi Bremeni ra një kategori më poshtë në futbollin gjerman.
Noriëich City – një skuadër e rikthyer në Premierligë shfaqi interesim për sulmuesin nga Kosova. Marrëveshja u arrit. Anglezët paguan 9 milionë euro, Miloti zbarkoi në ishull ku dhe luan momentalisht.
Edon Zhegrova
Driblimet janë “arma” e tij e fortë. E majta e tij – dhuroi magji qysh kur luante për grup moshat e Prishtinës, nga ku u transferua tek grup moshat e St.Trudien, e më pas në Genk.
Te skuadra belge, talenti i madh që kishte Edon Zhegrova u pa menjëherë dhe ofertat nuk i munguan.
Zhegrova e zgjodhi Baselin si aventurë të ardhshme – ku kaloi gjashtë muaj në huazim.
Paraqitjet e mira bën që klubi zviceran ta blejnë për afro 2 milionë euro.
Për një kohë të shkurtër, ai u bë ndër futbollistët kryesorë të kësaj skuadre dhe skuadrat në drejtim të tij “vërshuan”.
Sulmuesi zgjodhi të jetë pjesë e “mbretërve” aktual të Francës, Lille. Baseli ka mbetur vetëm pjesë e të kaluarës.
Për kartonin e tij, skuadra franceze ka paguar hiq më pak se 7 milionë euro, pasi edhe Lyoni e dëshironte me çdo kusht.
Për këtë hap të madh – në karrierë, ai u shpreh i lumtur dhe krenar – gjatë ceremonisë së prezantimit.
Në Francë, ai nuk është futbollisti i vetëm shqiptar, pasi në të njëjtën ligë, luajnë edhe Arbër Zeneli, Valon Berisha, Elbasan Rashani dhe Xherdan Shaqiri.
Po ashtu, për Edonin – do jetë një ndjenjë e veçantë – pasi do të ketë mundësi të takohet kundër idollit të tij, Leo Messi.
Llile – gjendet në vendin e dhjetë të Ligue 1, me 28 pikë të grumbulluara.
Kurse, në fazën e parë me eleminim direkt – në Ligën e Kampionëve, do takohen kundër Chelseat – me datë 22 shkurt.
Dikur ëndërronte të luante për Barcelonën, tash, ai luan në Champions, kurse katalunasit në Europaligë.
Amir Rrhahmani
Karrierën e nisi në Drenicë.
Qysh nga mosha e re veçohej për punën e madhe në stërvitje dhe kjo iu shpërblye.
Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani, aventurën e parë jashtë kufijve e pati në Shqipëri.
Aty, ai luajti nga viti 2013 deri në 2015, teksa më pas iu bashkua Partizanit të Tiranës ku ishte i pazëvendësueshëm.
Paraqitjet e mira në Shqipëri, ia mundësuan që të kalonte në Superligën kroate – te Dinamo Zagreb, teksa një sezon luajti në huazim te Lokomotiva.
Me Dinamon ai ishte lider në qendër të mbrojtës dhe këtë shkëlqim të tij – e vërejtën disa skuadra.
Por, Amiri zgjodhi Veronën si “shtëpinë” e tij të re . Kjo skuadër pagoi 1.5 milionë për një futbollist – që shumë shpejtë zuri vendin e titullarit.
Në këtë skuadër, Rrahmani luajti së bashku në mbrojtje me Marash Kumbullën – një tjetër yll në ngritje – nga Shqipëria.
36 ndeshja kampionate – ku e dha maksimumin në çdo minutë ishin shkas për interesimin e Napolit për të.
Fillimisht, me napoletanët, ai nuk pati sukses.
Ndeshjet i shikonte nga stoli.
Madje, u raportua se shumë shpejtë do largohej nga aty, pasi Koulibaly dhe Manolas ishin tandem i pazëvendësueshëm.
Por, ai punoi në heshtje dhe duroi.
Dalëngadalë filloi të merrte minutazh. Paraqitjet solide dhe lëndimet e Manolas – bënë që Rrahmani të jetë startues.
Kur qendërmbrojtësi grek u rikthye nga lëndimi – banka rezerë ishte vend i tij. Rrahmani – Koulibaly u bë dyshja e re startuese dhe Manolas “iku” në Greqi – të Olympiacos.
Tashmë vlera e Amirit në tregun e trnasferimeve është astronomike. Plot 22 milionë vlen kartoni i 26 vjeçari që dikur mbronte ngjyrat e Drenicës.
Vedat Muriqi
Karrierën e nisi te Liria e Prizrenit.
Deri në vitin 2013, ai ishte pjesë e kësaj skuadre nga vendlindja.
Por, viti 2013, ishte fillimi i një rrugëtimi të gjatë dhe të suksesshëm.
Fillimisht, ai “iku” te Teuta e Durrësit, ku qëndroi një sezon dhe më pas iu bashkua Besës së Kavajës – në formë huazimi.
Kjo ishte edhe skuadra e fundit shqiptare – ku ai e djersiti fanellën.
Radha erdhi për në Turqi. Një kalim te Guresnuspori – doli të jetë një çelës i suksesit që do vinte më pas.
Tek kjo skuadër, Muriqi luajti për dy vjet, teksa në 57 ndeshje kampionale shënoi 21 gola.
Viti 2016 e gjeti në Gençlebirligli, ku qëndroi gjithashtu gjashtë vjet. Tjetër aventurë e suksesshme.
Koha erdhi për të bërë një hap më të madh. Çaykur Rizespor u interesua për shërbimet e shtatgjatit dhe një marrëveshje u arrit në vitin 2018.
Aty, Vedati “shpërtheu”. Në 50 ndeshje kampionale e gjeti rrugën për te goli 25 herë. Tashmë kjo skuadër ishte e “vogël” për kalibrin e tij.
Pas vetëm një viti, ai ndërroi ambient përsëri. Por kësaj herë, ishte më ndryshe.
Ai iu bashkua Fenerbahces, njëra ndër skuadrat më të mëdha të futbollit turk.
Edhe në këtë skuadër, nuk u ndal së shënuari gola.
Teksa ditët kalonin, emri i tij po rritej çdoherë e më shumë.
Sulmuesi shqiptar vendosi për një ambient të ri, larg nga Turqia.
Me insistimin e Igli Tares, ai iu bashkua Lazios, për një çmim rreth 12-të milionë eruosh.
Me këtë ekip, gjërat nuk i shkuan më së miri dhe zgjodhi një huazim në Spanjë – te Mallorca ku edhe po shkëlqen.
Rrugëtimi që Vedat Muruqi ka bërë në karrierë është për tu marrë shembull.
Vlera e tij në tregun e transferimeve sipas “Transfermaket” është 6 milionë euro.
Prishtina – zbarkoi në Kataluni
Ndeshjet e mira ia siguruan titullin.
Titulli ia siguroi një biletë për në Ligën e Kampionëve.
Kurse, Liga e Kampionëve i siguroi – ndeshjen më të rëndësishme që kur klubi është themeluar.
Shorti e vuri Fc Prishtinën skuadrën nga kryeqyteti – kundër Barcelonës.
Madje, takimi u vendos që të zhvillohej në Kataluni. Bardhëkaltërit – fillimisht e patën fatin që të shkelnin në “Camp Nou” për vizitë – kurse më pas e ndanë parketin me yjet e skuadrës së blaugranëve.
Rezultati përfundimtar ishte 9-2 në të mirë të vendasve, por vetë pjesëmarrja në këtë fazë – kundër një kundërshtari të tillë ishte një sukses në vete për prishtinasit.
Se çfarë rëndësie kishte ky takim – e tregonte edhe shkrimi i kapitenit, Jeton Rukovci, i cili u shpreh se “ Ndjenjë e veçantë, eksperiencë shumë e mirë. E pranoj që e kisha ëndërr të luaj në këtë palestër dhe kundër Barçes, E shijova çdo moment të ndeshjes. Faleminderit Zotit për këtë mundësi”.
Kiana Kryeziu – “e theu akullin”
Kiana Kryeziu u bë skitarja e parë kosovare, që përfaqësoi Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore.
Ani pse me vetëm 17 vjet në supe, ajo arriti që hap një rrugë të re për Kosovën, në “sportin e bardhë”.
Në dy garat e zhvilluara të kësaj olimpiade, Kryeziu ka përfundoi në pozitën e 49-të nga 82 garuese sa morën pjesë.
Pas përfundimit të këtij rrugëtimi historik, ajo u shpreh tejet krenare dhe e nderuar që e përfaqësoi tokën dardane.
“Kam pasur një fëmijëri të mrekullueshme dhe kam pothuajse në çdo sport, Not, futboll, patinazh, tenis. Jam krenare që mund ta përfaqësoj vendin tim në Lojërat Olimpike.
Është një nderë shumë i madh ta reprezantosh Kosovën. Është një nderë i madh të jem këtu si femra e parë që përfaqëson Kosovën në Lojërat Olimpike dimërore. Jam shumë e lumtur dhe besoj që të gjithë kanë qenë. Është një sukses shumë i madh për ne”, potencoi ajo, për mediat kineze.
Përveç saj, në këto lojëra mori pjesë edhe skijtari, Albin Tahiri, i cili përfundoi në mesin e 30-të më të mirëve në sllallom të madh – nga gjithsej 89 garues. /Shqip.com