Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, është një ndër deputetët e parë që ka vendosur firmën e tij në Deklaratën e Pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Në një intervistë për Shqip.com, Rugova tregon për emocionet që ka përjetuar gjatë 17 shkurtit, përgatitjet e deri tek nënshkrimi në Deklaratën e Pavarësisë, fat të cilin jo çdokush ka mundur ta ketë.
14 vjet pas, ish-deputeti shprehet i zhgënjyer me të arriturat e deritanishme të Kosovës, pasi pritshmëritë e tij kanë qenë më të mëdha.
Si ju dha lajmi që më 17 shkurt do të shpallet Kosova shtet i pavarur?
Ne si deputet të Kuvendit të Kosovës ishim në dijeni për rrjedhën e procesit dhe përgatitjet e fundit që po bëheshin për këtë ditë të madhe. Më 16 shkurt na erdhi njoftimi që të jemi në Prishtinë dhe të jemi në dispozicion se mund të thirrej një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit. Ky ishte mesazh i qartë për secilin nga ne.
A keni njohuri se si kanë shkuar përgatitjet para 17 shkurtit?
Nuk kemi pasur informacion paraprakisht se kur do të shpallej pavarësia, ishim në dijeni për përgatitjet, siç dihet Deklarata e Pavarësisë ku do të nënshkruheshin është përfunduar vetëm disa minuta para shpalljes së Pavarësisë, do të thotë kur çdo gjë ishte gati u thirr seanca, sigurisht në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjik.
Ju jeni ndër deputetët e shumtë që keni nënshkruar në deklaratën e pavarësisë së Kosovës, cili ka qenë emocioni juaj atë ditë?
Pa dyshim që kur jemi njoftuar për seancën, të gjithë kemi pasur emocione të papërshkrueshme. Personalisht kam qenë shumë i emocionuar sepse kisha fatin që të kurorëzojmë vullnetin e popullit për shtet të pavarur dhe sovran që ishte sakrificë e shumë grave dhe burrave të këtij vendi që me shekuj nuk ishin ndalur dhe kishin dhënë jetën për këtë ditë të madhe. Ndihem tepër i privilegjuar dhe krenarë që kisha fatin të vë firmën time në Deklaratën e Pavarësisë.
Si ka qenë rrugëtimi i Kosovës në politikë pas vitit 2008?
Kosova e pas pavarësisë i ka pasur të arriturat e veta, sfidat politike dhe socio-ekonomike, shtet i ri dhe shoqëri në tranzicion të thellë, por mendoj se shteti i Kosovës ka vazhduar në rrugëtimin e etapave të shtet ndërtimit, ka progres, është mbajtur kursi pro perëndimor dhe euro atlantik si dhe ka progres në ndërtimin e institucioneve demokratike që janë vullnet i qytetarëve.
Si ka qenë rrugëtimi i Kosovës në politikë pas vitit 2008
Ka mjaftë ngecje, dëshpërim, pritje më të mëdha. Personalisht kam pritur më shumë. Kemi mundur më shumë. Ka pasur mundësi për një zhvillim ekonomik më të qëndrueshëm, për sistem gjyqësor të pavarur dhe efikas, sistem edukimi dhe shëndetësor më cilësor. Duhet të bëhet shumë më tepër, në këtë 14 vjetor të pavarësisë më shqetëson shumë që njerëzit vazhdojnë të jenë të pashpresë dhe po na migron pjesa më vitale e popullatës. Definitivisht duhet një ristartim dhe qasje shumë më pro aktive e institucioneve të vendit që të ju përgjigjen si duhet këtyre sfidave që po na përcjellin qe shumë vite. Kosova ka resurse natyrore dhe njerëzore të mjaftueshme që njerëzit të bëjnë një jetë normale.
Si e vlerësoni Kosovën tash pas 14 vitesh?
Nëse vetëm për një vit kemi 56,000 aplikacione për viza pune, ku pjesa dërmuese janë njerëz të rijnë dhe teknokrat të fushave të caktuara, atëherë asnjë qeveri e pas pavarësisë nuk mund të mburret se ka realizuar objektivat që krijojnë jetë të qetë dhe mirëqenie në Kosovë. Ka ngecje dhe mungesë vizioni në politikën e jashtme, në raport me partnerët tanë strategjik, qasje jo të qëndrueshme dhe mungesë konsensusi në raport me dialogun me Serbinë, mungesë e një politike të jashtme koncensuale dhe mungesë e artikulimit të këtyre politikave në raport me bashkësinë ndërkombëtare. Kjo amulli dhe mungesë konsensusi po vazhdon. Duhet një qasje shumë më ndryshe, pragmatike dhe që hapë mundësi për shtetin dhe njerëzit e Kosovës.
Nga të gjithë presidentët, cilin/cilën mund ta veçoni që ka qenë më produktiv?
Për Presidentët e pas Pavarësisë, pa dyshim që Presidenti, Fatmir Sejdiu është larg nga të tjerët me përvojën politike, qasjen intelektuale dhe përfaqësimin dinjitoz të shtetit tonë.
Për fund, cili është urimi juaj për 14 vjetorin e pavarësisë së Kosovës?
Në këtë 14 vjetor të shpalljes së pavarësisë, uroj që vendi jonë të tejkalojë sfidat e kohës, që politika të emancipohet dhe ta ketë fokus zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve dhe të ruajmë miqësinë me partnerët tanë strategjik që janë shumë meritorë që sot kemi lirinë dhe shtetin./Insajderi.com