Partitë pajtohen që projektligji për Byronë të dërgohet në Komisionin e Venecias për trajtim

Partitë pajtohen që projektligji për Byronë të dërgohet në Komisionin e Venecias për trajtim

Pozitë dhe opozitë janë pajtuar në parim që projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme të dërgohet në Komisionin e Venecias.

Komisioni do t’i evidencojë mangësitë në projektligj dhe do të jepen këshilla për institucionet për ndryshimet të cilat duhet të bëhen në këtë projektligj para se të procedohet për miratim.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka deklaruar se do e dërgojë projektligjin në Komisionin e Venecias.

Në seancën e Kuvendit që është mbajtur sot ka pasur debat në lidhje me projektligjin në fjalë ku opozita ka shprehur vërejtjet e saj sa i përket strukturës së Byrosë dhe aspektet e tjera të cilat lidhen me funksionin e saj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se projektligji  nuk e cenon pavarësinë e pushteteve.

Ai ka thënë se projektligji duhet të miratohet ngase për dy dekada në Kosovë ka sunduar paligjshmëria si dhe ka pasur rritje të kriminalitetit.

Kurti ka thënë se ligji përcakton që pasuria e pajustifikueshme do t’i kthehet shtetit.

“Ka vite që jemi pajtuar të gjithë që korrupsioni ka qenë i lartë dhe i koncentruar te zyrtarët e lartë të qeverisë dhe jo vetëm. Në Kosovë për më shumë se dy dekada ka sunduar paligjshmëria. Ata që kanë pasur qasje në buxhetin e shtetin janë pasuruar. Byroja Shtetërore do të jetë në funksion të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar që i mundëson konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme”.

Ndërkaq  shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelerd Tahri, ka thënë se në disa nene projektligji është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Tahiri ka deklaruar se projektligji për konfiskimin e pasurisë duhet të hetojë edhe pasurinë e fituar që nga viti 1999.

“Në tetë nene kjo byro bie në kundërshtim me Kushtetutën, unë besoj që keni juristë të mirë në qeveri që t’ju tregojë. Nëse vetëm miratohet një projektligj i tillë nuk duhet të vlejë veç nga 17 shkurti 2008, por që nga viti 1999 – pse duhet të amnistohet dikush”, ka thënë ai.

Kurse kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ata përkrahin këtë projektligj mirëpo ka vërejtje për strukturën e Byrosë Shtetërore.

“Byroja sipas projektligjit udhëhiqet nga një drejtor. Drejtori ka kompetenca më shumë sesa i gjithë sistemi i drejtësisë. Byroja si është paraqitur në projektligj nuk është e pavarur. Askush nuk duhet ta gëzojë një fuqi të tillë. Ne do t’i japim vërejtjet tona, por do ta mbështesim”, u shpreh Abdixhiku.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, Besnik Tahiri është pajtuar që projektligji të dërgohet në Komisionin e Venecias.  “Dërgojeni në Komisionin e Venecias, aty nuk kemi as dajë, as dosta edhe e shikojmë a është ky ligj në vijë në luftimin e korrupsionit” ka thënë Tahiri. /Insajderi.com