Lëvizjes Vetëvendosje po i kërkohet që të përballet me zotimet të cilat i ka dhënë gjatë fushatës elektorale për moslejimin e organizimit të zgjedhjeve serbe në Kosovë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se ata nuk do të përzihen në këtë çështje dhe se është detyrë e Qeverisë së Kosovës që të përballet me ketë temë.
“Kjo qeveri dhe ky kryeministër në vazhdimësi ka dhënë fjalë të mëdha sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Tani përballet me realitetin politik ku komunikimi me faktorin ndërkombëtar është esencial ku gjuha e përbashkët për interes nacional është domosdoshmëri politike.
“Përderisa ka dhënë kaq fjalë të mëdha për një temë të tillë le ta trajtojë vet përballje me ketë temë. Si opozitë kemi votuar një rezolutë një parlament dhe i qëndrojmë asaj rezolutë. Është detyrë e Qeverisë që të nxjerr veten nga ku është futur vetë me vetëdije nëpër vite” ka thënë ai.
Ndryshe Qeveria e Kosovës ka zhvilluar një bisede më vendet e QUINT-it për çështjen e organizimit të zgjedhjeve serbe në Kosovë. Në këtë takim kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur nevojën për arritjen e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për këtë temë.
Ndryshe Zgjedhjet Parlamentare të Serbisë mbahen me 3 prill dhe se është planifikuar që kutitë e votimit të shpërndahen edhe në vendbanimet me shumicë serbe.
Serbia vazhdon të mos e njoh Kosovën si shtet të pavarur.
Qeveria e Kosovës ka propozuar dy alternativa për votim për qytetarët e Kosovës të cilët posedojnë dokumente edhe të Serbisë.
Opsioni i parë është votimi nëpërmjet postës dhe opsioni i dytë është nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse Serbë në Kosovë. /Insajderi.com