Lista Srpska paralajmëron protesta në Veri për shkak të moslejimit të zgjedhjeve serbe

Lista Srpska paralajmëron protesta në Veri për shkak të moslejimit të zgjedhjeve serbe

Lista Srpska do të organizojë protesta në Mitrovicën e Veriut për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në territorin e Kosovës.

Kryetari i komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq ka deklaruar se ata do të protestojnë në mënyrë paqësore duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë të cilin e konsiderojnë si diskriminues.

Ai madje ka deklaruar se ndaj serbëve në Kosovë është legjitimuar dhuna institucionale.

“Të premten do të kemi protesta paqësore në pjesën qendrore në veri të Kosovës, si formë e luftës sonë me një mesazh të qartë, se nuk duam që askush të na mohojë të drejtat elementare të njeriut në shekullin 21. Se nuk duam të jemi qytetarë të një rendi tjetër. Dhuna institucionale ndaj serbëve është në veprim në Kosovë”. ka thënë ai.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se për lejimin e zgjedhjeve duhet të ketë një marrëveshje paraprake ndërmjet dy shteteve.  Ata kanë kërkuar nga Serbia që të dërgojë kërkesë zyrtare në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë.

Mirëpo Qeveria e Serbisë ka refuzuar që të bëjë një gjë të tillë pasi konsideron se me veprimin e tyre ata do të pranonin Pavarësinë e Kosovës. /Insajderi.com