Kurti: Ishte vit i luftimit të krimit dhe korrupsionit

Kurti: Ishte vit i luftimit të krimit dhe korrupsionit

Qeveria e Kosovës vlerëson se 1 vjetori i punës së tyre është karakterizuar me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kryeministri kosovar, Albin Kurti, ka ofruar të dhëna për aktivitetet në luftën kundër krimit duke e quajtur si vit të suksesshëm ngase në operacionet policore janë arrestuar 270 zyrtar publik.

“Janë konfiskuar 1 tonë narkotikë, janë kryer 550 operacione, 1 mijë e 200 bastisje, janë shkatërruar 54 grupe kriminale. Janë arrestuar 12 mijë persona në mesin e tyre janë 270 zyrtar publik. Njësia për inteligjencë financiare ka lëshuar 46 urdhëra për ngritje të përkohshme të transaksioneve në vlerë totale 9 milionë euro. Këto fonde pas ngrirjes janë sekuestruar”. ka thënë Kurti.

Sipas tij, është bërë një punë e mirë në anulimin e kontratave të dëmshme duke kursyer kështu 150 milionë euro.

“Ishte vit i kursimit dhe mirëmenaxhimit. Janë anuluar marrëveshje të dëmshme, tenderë, kontrata dhe memorandume në vlerë 150 milionë euro. Është ndaluar keqpërdorimi i 43 milionë eurove në shpronësimet për segmentin Klinë-Kijevë-Zahaq. Është anuluar projekt prokurimi i dyshimtë për furnizimin me dokumente personale në vlerë prej 21 milionë euro”

“Dogana ka trajtuar 1 mijë e 774 raste të kundërvajtjes së mallrave në vlerë prej 4 milionë eurove. Gjobat e shqiptuara për këto kundërvajtje janë në lartësi prej mbi 1 milionë euro. Janë konfiskuar mallra si rrjedhojë e shkeljeve doganore në vlerë prej 9 milionë euro. Kemi larguar detyrimin për pagesën e homologimit e automjeteve në vlerë prej 100 mijë euro duke kursyer miliona euro nga zhvatja që po u bëhej qytetarëve. “. ka thënë ai./ Insajderi.com