Partitë opozita kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve për të mundësuar themelimin e komisionit hetimor parlamentar për hetimin e situatës me energji elektrike nga Qeveria e Kosovës.
Kështu ka thënë shefi deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.
Gashi tha se Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje tentoi ta bllokojë formimin e këtij Komisioni, por sipas tij, ai do të formohet përmes nënshkrimeve të opozitës.
“Ky komision do të formohet me 40 nënshkrime kësaj radhe. Nënshkrimet kemi filluar t’i mbledhim. Ky komision do të del me raport, nëse ka abuzim ose keqmenaxhim të situatës atëherë sigurisht se do të dalë ky konkluzion”, tha Gashi.
Ndërsa theksoi se ka dyshime se ka pasur abuzime në fund të vitit të kaluar dhe fillim të këtij viti.
“Në sektorin e energjisë elektrike ka pas abuzim të madh në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti. Ka një kërkesë parlamentare për formimin komisionit parlamentar i cili do të hetonte të gjitha procedurat dhe mënyrën se si kemi ardhur deri tek rritja e çmimit dhe deri te rritja e krizës energjetike në Kosovë”, u shpreh Gashi para gazetarëve.
Në anën tjetër. shefi i GP të Partisë Demokratike të Kosovë, Abelard Tahiri tha se për 200 milionë euro nuk dihet se ku i ka shpenzuar Qeveria e Kosovës.
“Bëhet fjalë për ndarjen e rreth 200 milionë eurove nga buxheti i Kosovës, këto janë taksa të qytetarëve, për me ble energji elektrike, dum të dimë cent për cent se si kanë shkuar procedurat e prokurimit publik, si ka ardhur deri të rritja e çmimit sepse ka shkelje ligjore, ka një mori shkeljes që nga dhjetori kur është shpall gjendja e jashtëzakonshme, si janë menaxhuar 200 milionë eurove nga buxheti i Kosovës për të menaxhuar krizën”, tha Tahiri.
Ndërsa, akuzoi pozitën ë bllokim të themelimit të komisionit.
“Ne si grup parlamentar e pamë qartë tentimin e kësaj mazhorance për ta bllokuar një proces të tillë hetimor, padyshim që nuk do të mund ta ndalojnë si grupe parlamentare të opozitës për ta themeluar këtë komision hetimor për me nxjerr në dritë abuzimet”, u shpreh Tahiri.
Me 23 vota për dhe 50 kundër, Kuvendi i Kosovës në seancën e 28 marsit nuk e miratoi themelimin e komisionit për hetimin e situatës me energji elektrike nga Qeveria e Kosovës./Insajderi.com