Në raportin e përvitshëm, Departamenti i Shtetit Amerikan theksoi se përgjatë vitit 2021, gazetarët në Kosovë u përballën me vështirësi për të siguruar informacion nga qeveria e vendit.
Raporti gjithashtu thekson se ndonëse qeveria në përgjithësi e respektoi të drejtën e shprehjes, në disa raporte të besueshme thuhet se “disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare u përpoqën të frikësonin përfaqësuesit e medias”, thuhet në raport.
“Gazetarët hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht nga ligjet që ofrojnë qasje në dokumente publike. Problemet e financimit gjithashtu dëmtuan pavarësinë e medias”, nënvizon raporti i DASH-it për vitin 2021.
Mediat e pavarura, thuhet më tej, ishin aktive dhe shprehën një shumëllojshmëri pikëpamjesh, përgjithësisht pa kufizime.
Por, sipas raportit, pati raportime se zyrtarë qeveritarë, disa parti politike, biznese të lidhura me qeverinë, grupe fetare dhe individë të pakënaqur u bënin trysni pronarëve të mediave, redaktorëve dhe gazetarëve që të mos publikonin rrëfime ose materiale të caktuara.
“Sipas disa redaktorëve, financimi ishte i kufizuar pjesërisht sepse qeveria hezitonte të blinte reklama në mediat që publikonin materiale kritike ndaj politikave të qeverisë.
Tutje, raporti thekson edhe raportimet e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës për sulmet fizike ndaj gazetarëve.
Ndaj publikimit të këtij raporti ka reaguar edhe AGK-ja.
“AGK, shpreh shqetësimin lidhur me gjetjet kryesore të Raportit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së për Kosovë. AGK-ja vlerëson se gjetjet e raportit duhet të jenë alarm për institucionet e vendit që duhet të angazhohen në krijimin e një ambienti më të mirë e të sigurt të të bërit gazetari”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Këtë mund ta gjeni të plotë raportin./Shqip.com