Bankat në Kosovë ngritin çmimet për shërbime – BQK përgatitë ligj të posaçëm

Bankat në Kosovë ngritin çmimet për shërbime – BQK përgatitë ligj të posaçëm

Norma mesatare e kredisë në Kosovë është rreth 6%, por bankat kanë gjetur një mënyrë tjetër për t’i rritur fitimet.

Të gjitha bankat pa asnjë përjashtim, kanë rritur thuajse të gjitha çmimet e shërbimeve, në kohën kur qytetarët po përballen me situatë të vështirë ekonomike shkaku i ndikimeve nga lufta në Ukrainë.

Me gjithë pakënaqësitë e shumta të qytetarëve, pak prej tyre kanë shprehur gatishmërinë për t’u ankuar në institucionin që mbikëqyrin këtë sektor.

Nga janari deri në fund të muajit maj, kanë parashtruar ankesë rreth rritjes së çmimeve të shërbimeve vetëm 12 qytetarë.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, ka thënë për Shqip.com se bazuar në Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve, bankat janë të obliguara të informojnë paraprakisht klientët lidhur me çdo ndryshim, përfshirë këtu edhe çështjen e shumës së mirëmbajtjes së llogarisë.

Por, liria e plotë për bankat komerciale nuk do të zgjas edhe shumë kohë, pasi BQK-ja është duke punuar në Draft Ligjin e ri për Shërbimet e Pagesave.

Banka Qendrore e Kosovës

Ky dokument do të përfshijë edhe Direktivën për Shërbime të Pagesave (PSD2) dhe Direktivën për Institucionet e Parave Elektronike, derisa ky draft ligj, planifikohet të transpozoi edhe direktivën e BE-së “Për llogarinë e pagesës”.

“Kjo direktivë, përtej nxitjes së mëtejshme të transparencës dhe konkurrencës nëpërmjet krijimit të procedurave të standardizuara për kalimin/këmbimin e llogarisë së një klienti nga njëra bankë në tjetrën, pritet të nxisë përfshirjen financiare të popullsisë falë prezantimit të një llogarie me karakteristika bazike. Kjo lloj llogarie mund të mbart kosto minimale për personat që aktualisht nuk kanë qasje në llogaritë bankare. Paraprakisht, janë marrë masa, diskutim me sektorin bankar, në lidhje me përfshirjen financiare dhe produktet bankare që ofrohen nga to. Informacioni i përfituar nga këto diskutime mund të ndihmojë BQK-në gjatë draftimit të ligjit për transpozimin e këtyre direktivave të BE-së, por edhe në lidhje me përcaktimin e komisioneve për instrumente dhe shërbimet, të cilat do të lidhen me këto “llogari bazike”, ka thënë tutje për Shqip.com, zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti.

Anëtarja e Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci  ka thënë se ndryshimi do të bëhet në pikat që ka ngecje dhe probleme.

“Është formuar grupi punës për mbikëqyrjen e ligjit, pra nga Komisioni për Buxhet, i cili do të bëjë mbikëqyrjen e Ligjit për BQK. Ne fillimisht të bëjmë monitorimin se ku ka ngecur dhe ku janë problem dhe më pas do të bëhet indetifikimi i pikave potenciale ku edhe do të bëhet ndryshimi”, tha ajo për SHQIP.com.

Ndërsa ekonomisti, Mustafë Kadrijaj për SHQIP.com tha se këtë vendim për ndryshim të draftligjit është shumë i mirëseardhur.

Ai tha se bankat duhet paraprakisht që të njoftojnë klientin për këtë rritje dhe ai të këtë mundësi përzgjedhje.

“Është dashur që bankat të paralajmërojnë klientin. Vendimi i BQK është i mirëseardhur, pasi bankat komerciale duhet të japin arsyen e rritjes së çmimit të shërbimit”.

Ai tha se me këto veprime është duke u rënduar edhe më tepër jeta e qytetarit dhe sipas tij shqetësuese është komoditeti i Qeverisë.

“Në ketë rast me shqetësuese është komoditeti i Qeverisë që po e trajton gjendjen ekonomike si diçka normale”, shtoi Kadrijaj.

Ndryshe disa nga bankat në Kosovë kanë këto çmime për klientët.

Sipas të dhënave të publikuara, Banka NLB për mirëmbajtjen e llogarisë mujorë për klientë ndalë 2 euro, ndërsa tërheqjen nga sporteli deri në shumë 4.99 e aplikon pa provizoni ndërsa për shifrat tjera ndalesa shkon deri në 3 euro.

Banka Raiffeisen tarifën mujore për klientë e ka 1.5 euro, ndërsa tërheqjen në sportel 2,50 euro. Kjo bankë për tërheqje nga bankomati merr nga klienti 0.50 deri në 1000 euro për shumë të tërhequr, ndërsa për mbi 1000 euro përdor tarifën prej 1 euro.

Hiç më mirë nuk qëndron as Banka Kombëtare Tregtare (BKT), e cila tarifën mujore e ka 2 euro si dhe tërheqjen nga sporteli.

Ndërsa banka TEB tarifën mujore e ka 1.50 euro, ndërsa tarifën për E-banking 0.50.

Mirëmbajtja vjetore nga kjo bankë është 20 euro.

Banka Pro Credit Bank mirëmbajtjen mujore të kartelës me debit të shtyrë e ka 5 euro, ndërsa tërheqjen prej bankomati të kësaj banke e ka 2.oo për qind të shumës.

Banka ekonomike mirëmbajtjen e llogarisë mujore e ka 0.99 euro, ndërsa tërheqjen e shumës deri në 10 euro në bankomat e ka 0.20 euro ndërsa mbi këtë shumë 2.50euro.

Kurse Banka për Biznes mirëmbajtjen e llogarisë e ka 0.99, ndërsa tërheqjen e shumës mbi 10 euro në sportel 1.50. Si dhe tërheqjen përmes ATM-së e ka 0.10 cent./Insajderi.com