Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit bëri këtë të martë një njoftim në faqen e tij zyrtare ku zbulonte se një personazh me profil të lartë politik me iniciale I.M. rezultonte të ishte bashkëpunëtor. Në të njëjtin njoftim thuhet se institucioni u vu në dijeni me anë të një e-maili dhe pas verifikimit, rezultatet iu vunë në dijeni Kuvendit të Shqipërisë.
“Në kuadër të punës së përditshme me përpunimin e materialeve të ish-Sigurimit të Shtetit, së fundmi Autoriteti është ndeshur me informacione dhe të dhëna mbi një personazh me profil të lartë politik.
Institucionit iu kërkua nëpërmjet postës elektronike që të verifikohej figura e shtetasit I. M. në dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit. Konstatimi u shqyrtua me përgjegjësi dhe materialet u bënë të njohura për të gjithë anëtarët e zgjedhur.
Me vendimin nr. 321, datë 26.07.2022 të Autoritetit, të dhënat iu përcollën Kuvendit të Shqipërisë” – thuhet në njoftimin e Autoritetet të Dosjeve.
Pas këtij njoftimi kanë qenë një sërë portalesh që kanë raportuar nga burime të tyre se bëhet fjalë për ish-Presidentin Ilir Meta. Në këto portale shkruhet madje se “Meta ka spiunuar një shok shkolle për planin e tij për t’u arratisur jashtë shtetit dhe se … dhe ka qenë i dërguar i Sigurimit të Shtetit, edhe në takimin me Ramiz Alinë në Dhjetor 1990”.
Por nëse ka qenë Meta bashkëpunëtor i ish-Spigirimit të Shtetit si ka qenë e mundur që ai ka mbajtur postet më të larta të këtij vendi, deputet, Kryeministër, Kryetar i Kuvendit dhe President i Republikës?
Në njoftimin e Autoritetet të Dosjeve thuhet se ky është një problem që e ndjek punën e këtij institucioni prej vitesh pasi au nuk mund të verifikojë një politikan që është verifikuar një herë në të kaluarën dhe ka rezultuar i pastër.
“Autoriteti nuk administron kërkesat për informacion për zyrtarët që propozohen të emërohen ose ngrihen në detyrë në institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, kur Autoriteti administron apo i janë vënë në dispozicion dokumenti autentik origjinal i certifikatës së pastërtisë së figurës” Pra, emrat e shqyrtuar më herët nga komisionet Mezini-Bezhani nuk verifikohen nga Autoriteti, me dispozitë ligjore” – thuhet në njoftim. Për këtë kryetarja e Autoritetit, Gentian Sula i ka kërkuar Kuvendit që ligji të ndryshojë.
“Shqetësimi është paraqitur së fundmi nga znj. Gentiana Sula, në seancën plenare të 21 korrikut 2022, gjatë raportimit të veprimtarisë për vitin 2021. Në këto rrethana, në rastet e shqyrtuara me përgjegjësi për subjektet A. D., Th. S., S. H., Xh. Sh., D. Ç., dhe I. M., autoriteti e ka bazuar vendimmarrjen në kërkesën për emërim/ngritje në detyrë.
Në rastet kur kërkesa për të njëjtët emra bëhet për verifikim figure, Autoriteti administron të gjithë dokumentacionin mbi personin në fjalë. Ngërçi e vë institucionin në pozitën që, një vendim i tij në përgjigje të kërkesës institucionale, deklaron se subjekti zotëron certifikatën e pastërtisë se figurës së tij nga komisione të mëhershme verifikuese” – thuhet në njoftim.
Pas publikimit të njoftimit të Autoritetet të Dosjeve, të parin reagim nga “Partia e lirisë” e bëri Tedi Blushi, anëtar i Komitetit Organizativ të kësaj force dhe ish-këshilltar më mediat i Metës si President.
“Ha Ha Ha… Autoriteti i Dosjeve u kujtua t’i kërkojë Kuvendit të ndryshojë ligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit”, një ditë pas themelimit të Partisë së Lirisë, se gjoja një politikan i nivelit të lartë I.M, figuron bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe qenka përpjekur për t’u fshehur nga verifikimet dhe për këtë u dashka bërë një ligj i veçantë.
Mos e lodhni kot Kuvendin me këtë punë, se ka çështje të tjera më të rëndësishme për t’u marrë si aferën skandaloze të inceneratorëve apo Marrëveshjen e Detit me Greqinë (kujtoni letrën e fundit të Presidentit të Republikës për të gjithë deputetët).
Latë nam me patronazhistët e sotëm ju që paskeni merakun e “patronazhistëve” të komunizmit. I bëjmë thirrje autoritetit të dosjeve të hapë që sot dhe të bëjë publike çdo dosje dhe informacion të sigurimit të shtetit dhe gjithçka tjetër, përfshirë edhe procesverbalet e organizatës së rinisë të asaj kohe! Jetojmë në kohën e “pavarësisë” së institucioneve, por edhe të TRANSPARENCËS, që nuk do të ndalet” – shkruan Blushi, shkruan Lapsi.al.
Autoriteti thotë se për zgjedhjet parlamentare 2017 dhe 2021 u verifikuan 446 kandidatë për deputetë, ku 441 rezultuan pa dokumente dhe 5 kandidatë për deputetë figuruan bashkëpunëtorë në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit. Nëse dikush rezulton të ketë qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit nuk mund të mbajë detyra shtetërore./Insajderi.com