Çmimet e larta në zonat turistike në Shqipëri kanë bërë që ky sezon veror të mos jetë i ngjashëm me atë të viteve të kaluara.
Thuajse çdo ditë në media është raportuar për zbrazjen e plazheve shkak i ngritjes së çmimit të çadrave, ushqimit dhe pijeve.
Megjithëse kërkesa është në rënie, Shqipëria mbetet zgjidhja kryesorë për shumë familje.
“Viteve të kaluara kam qenë në Ulqin, këtë vit dua të shkoj në Vlorë. E di që çmimet janë të larta, por besoj që njeriu me hulumtu mundet me gjet edhe hotel që përkon me xhepin e tij”, u shpreh Vlora Kamberi nga Prishtina.
Durrësi destinacioni më i kërkuar në Shqipëri
Por, duke pas parasysh çmimet e larta këtë verë interesimi për Shqipëri ka qenë në rënie.
“Ka dy javë që interesimi për Shqipëri është në rënie, për shkak të ngritjes jo-normale të çmimeve në disa destinacione. Ka rëmie edhe Shëngjini, ka rëmie edhe Vlora, ka rëmie edhe Durrësi. Pra nëse flasim për shifra, është mbi 30 për qind ma dobët se vitin e kaluar” kështu është shprehur, kryetari i Shoqatës së Transportuesve Rrugor të Udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishaj.
Tutje, ai tregon se kërkesat më të mëdha të qytetarëve këtë vit janë drejtuar nga Durrësi.
Nga data 15 qershor, kompanitë e autobusëve kanë operuar me çmime të reja për biletat drejt Shqipërisë.
Deri më këtë datë Shëngjini ka operuar me një çmim të biletës kthyese 15 euro, por për shkak të ngritjes së çmimit të naftës është ngritur në 20 euro.
Edhe për Velipojë është 20 euro. Për në Sarandë çmimi po varion nga 35 deri 40 ero biletë kthyese për shkak se është më larg se vendet tjera./Insajderi.com