Ish-kryeministri i Kosovës, si dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti, ka thënë se marrëveshja nënshkruar në mes Korpor" />

Hoti: Qeveria Kurti ka më së paku meritë për marrëveshjen me MCC, meritë ka Jahjaga edhe Qeveria Mustafa

Hoti: Qeveria Kurti ka më së paku meritë për marrëveshjen me MCC, meritë ka Jahjaga edhe Qeveria Mustafa

Ish-kryeministri i Kosovës, si dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti, ka thënë se marrëveshja nënshkruar në mes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit nuk është vetëm meritë e Qeverisë Kurti.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Hoti ka thënë se kjo marrëveshje është meritë edhe e ish-presidebtës Atifete Jahjaga edhe e Isa Mustafës.

“Do t’i them disa të vërteta për kronologjinë e kësaj marrëveshje. Duhet thënë se Qeveria Kurti ka më së paku merita për këtë marrëveshje. Por, pavarësisht kësaj, është Qeveria Kurti që e ka vonuar, së paku dy vjet, realizimin e kësaj marrëveshje.  Kjo marrëveshje ka filluar qysh në Qeverinë Mustafa. Edhe Presidentja Jahjaga ka merita të veçanta për inicimin e kësaj marrëveshje”, tha Hoti.

Avdullahu thotë se kanë punuar shumë në plotësimin e kushteve për të u kualifikuar

“Në Qeverinë Mustafa atëherë kemi punuar gjatë në plotësimin e një liste të gjatë të kushteve për t’u kualifikuar”.

Ai po ashtu tha se studime të para fizibilitetit kanë mbaruar në gusht të vitit 2020.

“Bazuar në kërkesën e MCC atëherë 24 shtator 2020 qeveria e atëhershme ka dërguar letër në MCC ku ka dhënë qëndrimin e saj sa i përket zhvillimeve Kosova e Re dhe për projektet për programin kompakt”.

Dje gjatë ditës së mërkurë është nënshkruar Marrëveshja për Programin Kompakt, në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, ndërmjet Kosovës dhe MCC-së në Uashington.

Para ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, shefja e MCC-së, Alice Albright ka thënë se marrëveshjet e MCC-së sjellin dobi për miliona njerëz, derisa ka thënë se qytetarët e Kosovës po përballen me probleme me energjinë.

Tutje, ajo tha se 4 nga 10 shtëpi në Kosovë përballen me mungesën e energjisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani para të pranishmëve ka deklaruar se Kosova është krenare që e ka SHBA-në pranë saj si dhe ka theksuar se investimet e tilla do të jenë trashëgimia më e mirë e gjeneratave të ardhshme të Kosovës.

Kurse, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se çdo monedhë për këtë projekt do të shkojë për një kauzë të rëndësishme.

Tutje, Kurti shtoi se deri në fund të këtij viti do të bëhet ankandi i parë për energji solare në Kosovë si dhe do të punohet që të punësohen gratë në sektorin e energjisë.

Marrëveshja e cila u nënshkrua në Uashington, pritet të prezantohet sot në Kuvendin e Kosovës për tu ratifikuar.

Programi Kompakt i nënshkruar në mes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe Kosovës, përfshinë tri projekte të rëndësishme në sektorin e rëndësishëm.

Nga një njoftim nga zyra e presidencës thuhet se kjo marrëveshje parasheh investime në infrastrukturën për ruajtje të energjisë, zhvillimin e fuqisë punëtore dhe përfshirjen e grave në sektorin e energjisë si dhe, projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim.

Nënshkrimi i Marrëveshjes me MCC-në, vije pas përmbylljes së negociatave në muajin maj të këtij viti dhe pas konfirmimit me votë unanime të Programit Kompakt nga Bordi i Drejtorëve të MCC-së./Insajderi.com