Është mbajtur seanca nga Komisioni disiplinorë në kuadër të Odes së Noterëve të Kosovës për rastin e notares Valbona Murtezi Bytyqi e cila tjetërsoi pronën në vlerë të 250 mijë euro në Prishtinë, pa nënshkrimin e bashkëpronarit i cili ishte Krenar Alidema.
Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar kryetari i Odës se Noterëve të Kosovës, Aliriza Beshi.
Beshi ka thënë se rasti ne fjalë është rast penal si dhe është mbajtë një seancë për të.
“Është mbajtë edhe një seancë aq sa unë jam i informuar nga Komisioni disiplinor. Tash ajo është një çështje penale. Seancat kryhen nga Komisioni disiplinor dhe është çështje e procedurës disiplinore dhe ne si kryesi e Odës së Noterëve të Kosovës, nuk mund të ndikojmë në punën e komisionit se kur mbahen seancat”, tha Beshi.
Kryetar i Komisioni disiplinor, Bilgaip Maznikar, për Shqip.com ka thënë se nuk i kanë edhe disa prova.
“Seanca është mbajtur por vazhdohet se si kemi edhe disa prova sepse procedura në fjalë zhvillohet në bazë të ligjeve”, tha Maznikar.
Maznikar ka thënë se nuk ju lejohet që të jep detaje në lidhje me seancën.
“Ne në fund kur të përfundojmë lenden në fjalë ju informojmë sepse nuk kemi të drejtë të raportojmë në lidhje me këto çështje pa raportuar tek kryesia e Odës së Noterëve të Kosovës”.
Burime e redaksisë bëjnë me dije se Komisioni ka kërkuar që për rastin të dëgjohen edhe pronarët e vjetër të lokalit, Lulzim dhe Aida Qerkini, të cilët edhe kanë vënë nënshkrimin në aneks kontratën e përpiluar nga noterja.
Por, të njëjtit me pas në hulumtimin e shqip.com kanë deklaruar se janë vënë në lajthitje nga noterja dhe pronaret e rinj, si dhe kishin qenë po të nëjtit që kishin informuar Alidemen se lokali nuk ishte më në pronësi të tij.
Deri më 15 shkurt të këtij viti, ky lokal në vlerë të 500 mijë eurove, ishte bashkëpronësi e Bekim Malokut dhe Krenar Alidemës.
Por, me këtë datë pa dijeninë e Alidemës, pjesa e tij i kaloi një personi tjetër, Agim Spahiut.
Megjithëse, bazuar në kontratën e 21 dhjetor 2020, Alidema kishte blerë lokalin me Malokun, emri i tij nuk figuron fare si palë në aneks.
Për këtë, ai pretendon se prona iu shit pa vullnetin e tij, pasi thotë se as nuk ishte në dijeni se i ishte larguar e drejta për të qenë pronar.
Pronarët e vjetër, Lulzim dhe Aida Qerkini përmes një përgjigje me shkrim kanë thënë se janë palë e dëmtuar, pasi ashtu sikurse Alidema janë vënë në lajthitje nga noterja Byqyti dhe pronarët e rijnë Maloku dhe Spahiu.
Alidema kishte thënë që ky të mos jetë rasti i vetëm. Ai pretendon se këtë e kuptoi pasi noterja tentoi t’ia kaloj mjetet nga shitja e aksioneve të tij, në llogari të Malokut.
Alidema si aksionar i një barnatore, në maj të këtij viti u kishte shitur aksionet vëllezërve të vetë në vlerë të 1.2 milionë eurove.
Për këtë, ai kishte autorizuar nënën e tij, duke i dhënë të drejtën e marrjes së mjeteve./Shqip.com