Hetimi i spiunëve rusë, Çuçi: E dyshimtë dhuna ndaj ushtarëve dhe pajisjet në çantë

Hetimi i spiunëve rusë, Çuçi: E dyshimtë dhuna ndaj ushtarëve dhe pajisjet në çantë

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi tha se tre të huajt që u kapën pranë uzinës së Gramshit do të hetohen sipas fakteve dhe rrethanave për të parë nëse kemi të bëjmë me turistë të pasionuar pas objekteve të luftës së ftohtë apo kanë pasur qëllim ndarjen e informacioneve që kërkohen nga shërbimet e huaja.

Në një konferencë për mediat, Çuçi u shpreh se fakti që shtetasit e huaj kanë ushtruar dhunë ndaj personave përgjegjës që ruanin objektin ushtarak edhe pse i deklasifikuar si dhe pajisjet që kishin me vete i ka bërë ata objekt të hetimit nga Prokuroria e Elbasanit.

“Për Gramshin ka një hetim që ka nisur dhe ka një akuzë nga Prokuroria e Elbasanit. Është një ngjarje që po hetojmë sipas fakteve dhe rrethanave, pavarësisht se objekti është i deklasifikuar për nga rrethana si kanë tentuar të hyjnë, pajisjet që kishin me vete dhe mbi të gjitha agresionin që kanë ushtruar këta janë marrë nën hetim nga Prokuroria e Elbasanit. Hetimi do të bëhet i plotë. Falënderojmë partnerët tanë që janë përgjigjur për të zbardhur në detaje historinë”, ka thënë Çuçi.

Gramsh
Dy shtetas rusë dhe një ukrainas janë arrestuar mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh. Ata sulmuan me spray neuro-paralizues dy ushtarët shqiptarë që ndodheshin në uzinë.

Në dëshminë e tyre, shtetasit e huaj kanë thënë se janë blogerë dhe fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti.

Tashmë mbi të dyshuarit rëndojnë zyrtarisht akuzat “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”./Insajderi.com