Ambasadori i Kosovës në Bruksel Agron Bajrami ka thënë se Kosova ka mbështetjen e parlamentarëve evropian si dhe suksesi është i garantuar.
Përmes një postimi në Twitter, Bajrami tha se Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën vlerëson përparim dhe tani Kosova është gati të ec më shpejtë drejt agjendave evropiane.
“Me Raportin e Komisionit 2022 që vlerëson përparimin e gjerë dhe të qëndrueshëm të bërë nga Kosova gjatë vitit të kaluar (shumë kërkues dhe sfidues), ne tani jemi gati të ecim më tej dhe më shpejt në Agjendën Evropiane dhe me mbështetjen që kemi nga parlamentarët Europian – suksesi është i garantuar”, shkroi Bajrami.
E gjithë vëmendja e Kosovës është fokusuar tek mbledhja e komisionit në të cilin është parashikuar të diskutohet për procesin e liberalizimit të vizave.
Propozimi i Komisionit për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës është ende në pritje të votimit nga Këshilli i BE-së, ku disa vende anëtare janë betonuar për një kohë të gjatë në refuzimin e dhënies së kosovarëve, lirinë e lëvizjes.
Në raportin e publikuar të mërkurën, Komisioni Evropian i ka qëndruar prapa vlerësimit të nxjerrë korriku i 2018-s se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave. Këtë vlerësim e mbështeti edhe Parlamenti Evropian.
Gjatë prezantimit të raportit, Komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave. Gjatë fjalimit të tij në Komisionin Evropian, Varhelyi tha se Kosova ka gëzuar stabilitet politik gjatë gjithë vitit dhe autoritetet vazhdojnë të demonstrojnë përkushtimin e tyre në rrugën drejt BE-së.
Gjatë pranimit të raportit nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se Republika e Kosovës formalisht do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar nevojën e përshpejtimit të këtij procesi, si dhe nevojën urgjente të përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.