Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe liderëve të opozitës është shprehur se kemi shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me aleatët tanë.
“Në këtë ftesë në kemi shprehur gatishmërinë çdo hap që synon koordinimin me aleatët tanë. Në këtë takim për pjesën më të madhe nuk kuptuam diçka më të re sesa deklarimet dhe nuk pamë ndonjë plan të ri dhe gatishmëri me aleatët tanë ndërkombëtarë. Kosova nuk duhet të bie pre e kurtheve të stabilizimit të vendit nga faktorët që janë në Beograd.Besojmë se koordinimi me Amerikën dhe BE-në është zgjidhja e vetme, Kosova duhet të bashkëpunojë ngushtë që të sigurojë paqe dhe stabilitet” ka thënë Abdixhiku.
Sipas Abdixhikut, një qeveri që zgjedhe midis ligjshmërisë dhe aleatëve e ka gabim.
“Ne kërkojmë vendosje të ligjshmërisë dhe koordinim me aleatët, sot është akt patriotik të kemi raporte të mira dhe të koordinuara me aleatët tanë. Partitë shqiptare sa herë flitet për Serbinë janë në një vijë dhe koordinim të plotë, do të ketë takime me kryeministrin nëse do të ketë rezultate konkrete”
Abdixhiku ka thënë se në një pjesë të bisedës temë e diskutimi ka qenë edhe marrëveshja finale me Serbinë.
I Pari i LDK-së nuk ka treguar nëse Qeveria duhet të shtyjë vendimin për targat por ka kërkuar bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është larguar nga takimi midis Kurtit dhe partive opozitare.
Pas takimit të shkurtë me Kurtin, Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka treguar arsyet e largimit.
“Edhe pse isha pjesë e takimit me kryeministrin Kurti, u detyrova ta lëshoj takimin sepse Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën dhe përse nuk po kthehej që të realizojë kërkesën e tyre. Për mua është e papranueshme që në raste kaq të ndjeshme, të prishim raportet me aleatin kryesor të sigurisë” ka shkruar Haradinaj.
Ky takim po ndodh pasi Lista Srbska ka bërë të ditur se kanë vendosur që të bojkotojnë të gjitha institucionet politike në Kosovë.
Pas kësaj eprorët që punojnë në Policinë e Kosovës e që kanë qenë të pranishëm në këtë takim kanë zhveshur menjëherë uniformat e tyre.
Ky vendim është bërë i ditur në një konferencë për media nga kreu i “Srpskas” Goran Rakiq.
Ai tha se kanë vendosur të largohen nga të gjitha institucionet – Kuvendi, Qeveria dhe 4 komunat, por edhe nga drejtësia, policia dhe administratat në Kosovë. /Insajderi.com