Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se përgjegjëse kryesore për vrasjen e Hamide Magashit nga ish-bashkëshorti i saj, është Prokuroria.
Haxhiu ka thënë se si ministri po presin veprime nga institucionet relevante sepse grupi ndërministror ka pranuar tri raporte inspektuese për rastin, por veprime janë ndërmarrë vetëm nga Inspektorati Policor.
“Sipas informacioneve të deritanishme që i kemi, dështimi kryesor është te Prokuroria. Tashmë ne kemi tri raportet por që masa janë ndërmarrë deri tani vetëm sa i përket zyrtarëve policorë që dyshohet se kanë falsifikuar dokumentet sepse nuk kanë pas kontakt me viktimës, ndërsa në dokumente shkruan se kanë pasur.
Komunat, në këtë rast e Shtimes, Lipjanit, Ferizajt, kanë qenë përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve ndaj viktimës dhe raportet janë dorëzuar drejtorive komunale, dhe unë kam marrë përgjegjësinë t’u shkruaj kryetarëve të komunave dhe po presim të ndërmerren masa në raport me përgjegjësinë “, deklaroi Haxhiu.
E para e drejtësisë në vend, insiston se të gjithë ata zyrtarë që nuk ishin në krye të detyrës për rastin e të ndjerës Magashi, duhet të ndiqen penalisht.
“Sipas informacioneve që i kem të gjitha raportet do t’i dërgojmë në Prokurori sepse duhet të ndiqet penalisht secili prej zyrtarëve përgjegjës që nuk e ka kryer detyrën. Pavarësisht se ne konsiderojmë se nuk janë ndjekur procedurat standarde të veprimit nga Qendrat për Punë Sociale, në punë të madhe dhe institucionet tjera, ende nuk i kemi raportet për mbrojtësit e viktimave sepse kjo është në kuadër të Prokurorisë…Përgjegjësinë më të madhe në këtë rast ne e shohim te prokuroria sepse sikur Prokuroria të ndërmerrte veprime asokohe, situatën do ta kishim ndryshe dhe kjo nuk është hera e pare”, ka thënë Haxhiu./Insajderi