Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i është drejtuar kryeministrit Kurti me një varg pyetjesh se pse nuk po shkarkohet Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj pas dyshimeve për aferë financiare në Slloveni dhe lidhjes së tij me mafian energjetike serbe.
Krasniqi thotë se afera financiare për të cilën kanë raportuar mediat në Slloveni, ngre dyshime mbi Qeverinë e Kosovës.
“Kjo aferë e Martin Berishajt, e raportuar në media ndërkombëtare, ngre dyshime serioze për Qeverinë e Kosovës. Si mund të flitet për respektimin e shtetit të së drejtës, ndërkohë që përfaqësuesit më të lartë të shtetit tonë përfshihen në afera të tilla financiare dhe ata mbrohen nga krerët e shtetit? Si e ndikon ky skandal imazhin e shtetit tonë, tani kur jemi në prag të liberalizimit të vizave dhe kur kemi aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian?”, ka thënë Krasniqi.
Kreu i PDK-së thotë se “qytetarët me të drejtë po pyesin dhe meritojnë të dinë se si u bë që Berishaj për një ditë e mori nënshtetësinë e Kosovës e të nesërmen u emërua Ambasador në Kroaci, si e kaloi ai verifikimin e sigurisë nga institucionet përgjegjëse të vendit, si është e mundur që Qeveria po e mbron Berishajn me kaq besnikëri në vend se ta shkarkojë e ta sjellë në Kosovë për hetime serioze, çka di kryeministri për pohimet se milionat e Berishajt janë përdorur për fushata zgjedhore në Kosovë, si dhe a mori GEN-I, me degë në Serbi, kontrata në Kosovë si “shpërblim” në këmbim të parave që ia dha Berishajt”.
Krasniqi ka pasur edhe pyetje tjera ndaj kryeministrit Albin Kurti. Ai e pyet pse po e mbron ambasadorin Berishaj dhe pse po hesht para dyshimeve për përfshirje të tij në një skandal.
“Dhe më e rëndësishmja: Kryeministër, pse po heshtë për këtë skandal dhe pse po e mbron kaq shumë bashkëpunëtorin tënd të ngushtë, Ambasadorin Martin Berishaj? Ju keni premtuar se do ta luftoni korrupsionin, e tash ndodheni në mesin e një skandali rajonal të korrupsionit. Po vepron si një struc kryeministër, duke e zhytë kokën në rërë dhe duke pritë që ky problem disi do të kalojë. Por, këtë herë nuk do t’ia dalësh duke heshtur. Qytetarët po e kërkojnë të vërtetën dhe ata meritojnë ta dinë tregimin e plotë për aferën Martin Berishaj”, ka përfunduar Krasniqi.