Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla ka reaguar në lidhje me kidnapimin e tre zyrtarëve policor në veri të Kosovës.
Sveçla, përmes një postimi në Facebook, kërkoi nga ndërkombëtarët që ta rrisin “urgjentisht” presionin ndaj Serbisë që jo vetëm t’i lirojë zyrtarët policorë por edhe të ndalin provokimet e saj.
“Serbia po vazhdon të jetë shkaktar dhe gardian i së keqes në rajon e në Kosovë. Ne nuk zmbrapsemi para kriminelëve e terroristëve. Serbia po tregon përsëri fytyrën e saj të vërtetë dhe atë të një shteti autokrat e agresor. Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë por edhe të ndalë provokimet e saj”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Sveçla tha se përderisa rendi dhe ligji “po zbatohet në vendin tonë, Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës, në shkelje të çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare”.
Ai shtoi se zyrtarët policor kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, “duke kryer detyrat e tyre të rregullta”.