Kuvendi i Kosovës ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë me ç’rast ka hapur dyert për qytetarët që dëshirojnë të vizitojnë këtë institucion.
Me këtë rast kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se kjo ditë tregon rëndësinë dhe vlerat që përfaqëson sistemi demokratik i qeverisjes.
Ai shtoi se duhet të punohet më shumë për aktivizimin sa më të madh të të rinjve duke investuar në edukimin dhe zhvillimin e tyre, ngase sipas tij, një shoqëri demokratike mund të mirëmbahet si e tillë kur çmohet kontributi i gjeneratave të reja.
“Gëzohem që çdo vit kjo ditë po shënohet në Kuvend. Këtë ditë po e shënojmë me një lajm të mirë që është anëtarësimi i Kosovës në Partneritetin për qeverisje të hapur. Për ne është arritje e rëndësishme anëtarësimi pas një përpjekje të gjatë që nuk vjen veç me legjislaturën tonë por edhe të atyre të kaluarave. Kjo tregon për pjekurinë e shtetit tonë”.
“Që nga miratimi i deklaratës globale Kuvendi ka marrë një sërë aktivitetesh dhe masash në funksion të rritjes se transparencës. Kuvendi ka miratuar dy plane të veprimit kjo tregon se punon me standardet më të larta të demokracisë. Ne duhet të punojmë më shumë për aktivizimin sa më të madh të të rinjve duke investuar në edukimin dhe zhvillimin e aftësive të të rinjve tanë. Një shoqëri demokratike mund të mirëmbahet si e tillë kur çmohet kontributi i gjeneratave të reja”.