Nënkryetari i AAK-së e krahason Haradinajn me Napoleon Bonaparten

Nënkryetari i AAK-së e krahason Haradinajn me Napoleon Bonaparten

Për nënkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, lideri i tij, Ramush Haradinaj, është një Napoelon Bonaparte i Kosovës.

Ai ka bërë këtë krahasim teksa ka folur për atë që e quajti neglizhencë të shtetit të Kosovës në raport me mbajtjen e liderit të tij nga autoritet franceze të cilët po e shqyrtojnë kërkesën e Serbisë për ekstradim të Haradinajt.

“Ndalimi i Haradinajt është sikur të ndalnin Napoleon Bonaparten dhe shteti francez të mos reagonte fare për ndaljen e tij”, ka thënë  Isufi në “Info Box” të RTV Dukagjini.

Kur është pyetur nëse ky krahasim është i denj, ai nuk ka pasur asnjë dilemë.

“Për Kosovën nuk ka luftëtar më të denjë të lirisë dhe kjo tregon për dobëësinë e këtij niveli të politikës së Kosovës” , ka thënë Isufi.

Napoleon Bonaparti gjatë karrierës së tij drejtoi 72 beteja në vende të ndryshme të Evropës. Një numër rekord ky duke pasur parasysh se vetëm një numër i vogël betejash u humbën. Ndërsa fatale ishte vetëm një ajo e Vaterlosë.

Napoleoni ka qenë dy herë Perandor i Francës. Fillimisht ai drejtoi Perandorinë Franceze nga 20 maji i vitit 1804 deri në 6 prill 1814. Dhe për herë të dytë, ai e udhëhoqi Francën nga 1 marsi 1815 deri në 22 gusht 1815.

Ramush Haradinaj ishte komandant në Zonën Operative të Dukagjinit të UÇK-së. Pas luftës me transformimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) ai emërohet zëvendëskomandant i TMK-së. Në prill të vitit 2000 largohet nga jeta ushtarake dhe themelon partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kryetar i së cilës është edhe sot./Insajderi.com