Optimizmi pas zgjedhjeve holandeze është i nxituar

Në një opinion për Insajderin, Lagana shkruan se politikanët si Viktor Orban po shfrytëzojnë heshtjen e Brukselit për të çuar përpara politika që minojnë sundimin e ligjit në BE.

Optimizmi pas zgjedhjeve holandeze është i nxituar

Brukseli dhe kryeqytetet e tjera në Evropë morën frymë më lehtë më 15 mars, kur kryeministri holandez i qendrës së djathtë, Mark Rutte, u duk se mposhti baticën populiste që po rritet në kontinent, duke mposhtur në zgjedhje kandidatin anti-Islamik dhe ksenofob, Geert Wilders. Sidoqoftë, optimizmi pas fitores së Ruttes është i nxituar.

Rutte e bazoi fushatën e tij në një qëndrim të ashpër ndaj migracionit, duke i bërë jehonë deklaratave të vetë Wildersit, kur ai kërkoi nga emigrantët “që nuk e pëlqejnë jetën” në Holandë “të largohen”.  Rreth 1400 kilometra nga Amsterdami, një qeveri evropiane miratoi ligje për të nxitur emigrantët që të bëjnë këtë gjë – të largohen – ose më mirë thënë, bile të ndalojë ata që të hyjnë në vend.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, është raportuar të ketë thënë privatisht se për të zënë në pozitë të palakmueshme BE-në rreth këtyre masave ilegale, duhet me qenë “i shpejtë dhe i çmendur”.  Kjo duket të jetë taktika e qeverisjes së tij në luftën ndaj refugjatëve dhe emigrantëve, të cilët shpesh ai i ka cilësuar si “pushtues” që synojnë të vërshojnë vendin. Më 7 mars, Parlamenti i Hungarisë ka dhënë dritën e gjelbër një ligji që parasheh ndalim të pakufizuar ndaj emigrantëve në kampet të rrethuara me gjemba, përfshirë këtu edhe fëmijët që janë me prindërit e tyre apo fëmijët e moshës mbi 14 vjeçare që janë duke udhëtuar vetëm. Agjencia e refugjatëve e OKB-së e ka cilësuar ligjin si shkelje të “obligimeve të Hungarisë nën ligjet e së drejtës ndërkombëtare dhe ligjeve të BE-së.”

Por, ky hap nuk duhet të vijë si befasi. Ligji i 7 marsit vije pas ndalesave drakonike të verës së kaluar, kur policia kufitare hungareze kishte larguar emigrantët e kapur afër kufirit me Serbinë. Organizata të ndryshme, përfshirë Doktorët pa Kufij, kanë dokumentuar dhjetëra raste kur autoritetet hungarezë kanë rrahur e abuzuar emigrantët që kanë tentuar të kalojnë në Hungari, përfshirë këtu edhe lëshimin e qenve drejt tyre.

Prapa në vitin 2013, kur qeveria kishte tentuar për herë të parë të kalojë ligjin për ndalimin e emigrantëve, Komisioni Evropian e kishte bërë të qartë se do të ndërmerre masa. Qeveria hungareze me shpejtësi kishte tërhequr propozimin e saj. Kësaj radhe Bashkimi Evropian ka qenë vendosmërisht i qetë. Atëherë, çfarë ka ndryshuar?

Në këto katër vite, diskursi publik dhe qasja e BE-së ndaj emigrantëve ka ndryshuar. Orban tani mundet të paraqes vetën si roje e derës së BE-së, dikush që është i aftë të “mbrojë kufijtë e jashtëm të BE-së”, ndryshe nga vendet e Evropës Jugore, si Italia e Greqia. A janë vendet e Bashkimit Evropian me të vërtetë të përgatitura që të konsideroj këtë lloj trajtimi johuman si çmim të pranueshëm për të paguar në mënyrë që të kufizojë numrin e emigrantëve dhe refugjatëve të hyjnë në Evropë?

Më 14 mars, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vendosi kudnër Hungarisë për një rast që përfshinte dy azilkërkues, të cilët janë mbajtur në ndalim në mënyrë të jashtëligjshme në vitin 2015. Raste të reja pritet që të sjellën para gjykatës në Strasburg për të verifikuar nëse këto vendime blejnë për ligjin e ri. Komisioni Evropian mundet që në fund të fillojë procedura formale kundër tij, duke u bazuar në atë se ai ligj nuk është në linjë me legjislacionin e BE-së, por që të dy këto procese mund të jenë të ngadalta.

Në ndërkohë, Orban do ta shfrytëzojë heshtjen e Brukselit, Berlinit dhe të kryeqyteteve të tjera për të çuar përpara elemente të reja të planit të tij për të riformatuar sistemin politik e kushtetues të Hungarisë. Qeveria është pranë dërgimit të një projektligji që do të shtojë ngarkesat ndaj OJQ-ve “të financuara nga jashtë”, përfshirë këtu organizata që japin ndihmë ndaj azilkërkuesve. Qeveria mund të presë një reagim të ngjashëm të heshtur për masën e re represive.

Qëllimi i qeverisë mund të jetë i dyfishtë: për të vënë shoqërinë civile nën kontroll të plotë dhe po ashtu për të frikësuar OJQ-të që mbesin ndër zërat e fundit kundër sjelljes së Hungarisë ndaj njerëzve që kërkojnë të hyjnë në Evropë.

Shtete të tjera të BE-së mund ta shohin Orbanin si të pakontrollueshëm, por ata nuk mund që të mos presin se dobësimi i demokracisë liberale do të mbes i izoluar në Hungari. Partia e Geert Ëilder, PVV-ja, ka rritur numrin e ulëseve nga 15 në 20, ndërsa retorika e tij merr jehonë nga politikanët e qendrës në Holandë dhe vende të tjera. Politikanë të tjerë mund të tundohen për të ndjekur shembullin e FIDESZ, partisë së Orbanit, dhe të minojnë sundimin e ligjit në BE. Nëse Brukseli dështon të reagojë, duhet të prisni më shumë gërryerje të normave e ligjeve të BE-së, e jo më pak.

(Autorja është Analiste e Lartë e Politikave në Open Society European Policy InstituteOpinioni është i shkruar për Insajderin)