Ngritja e aktakuzës për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “marrjes së ryshfetit” nuk i bën përshtypje Shukri Bujës. Deputeti i PDK-së brengoset që aktakuza e ngritur në muajin shkurt të këtij viti nga Prokuroria Speciale e Kosovës, do ta pengojë kandidimin e tij për kryetar të Lipjanit.
Deputeti i Partisë Demokratike të Lipjanit, Shukri Buja, thotë se po ngriten aktakuza ndaj zyrtarëve publik, vetëm për t’i penguar njerëzit në politikë.
“Aktakuza tashmë është bërë modë që të ngritën”, thotë Buja teksa brengoset se edhe një aktakuzë e ngritur ndaj tij, është bërë me qëllim pengimin e karrierës së tij politike.
Ish-kryetari i Komunës së Lipjanit shprehet i bindur se aktakuza e ngritur kundër tij nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “marrjes së ryshfetit”, ka një prapavijë të dyshimtë.
Buja brengoset se kjo aktakuzë do të ia pamundësojë kandidimin për kryetar të Komunës së Lipjanit. Post për të cilin ai ka synime të qarta, e që i ka bërë të ditura publikisht para ngritjes së aktakuzës nga prokuroria, raporton Insajderi.
“Në bazë të vlerësimeve të mia është me inicime politike, sepse dikujt po i pengon kandidimi im në Lipjan. E atij që i pengon dihet se kujt i pengon. Dhe realisht kjo aktakuzë shumë shpejt do të shihet se nuk ka ndonjë bazë e cila mund të dënohem… Po ngritën aktakuza për me mujt me i pengu njerëzit në politikë“, ka thënë Buja në një intervistë me KosovaPress.
Ish-lideri i Komunës së Lipjanit i cili akuzohet nga prokuroria edhe për “punime ndërtimore të paligjshme”, ka thënë se dikush qëndron prapa ngritjes së aktakuzës ndaj tij.
“Vetëm nga statistikat mund ta nxirrni se sa aktakuza ngritën për zyrtarët publik. Janë 1 mijë e 489 aktakuza të ngritura në vitin 2016. Ndërsa të dënuar janë vetëm 169. Realisht nuk i bjen mbi 10 për qind të dënuar. Por ngritje të aktakuzave ka të shumta. Edhe kjo aktakuzë është në vazhdën e aktakuzave si duket për zyrtarë publik, për të përmbushur një statistikë që kërkohet nga dikush”, u shpreh Buja.
Insajderi ka publikuar më parë dokumente që vinin në pah faktin sesi Komuna e Lipjanit, përmes një aktvendimi kishte vendosur që të ndryshonte planin zhvillimor urban të qytetit për t’i dhënë mundësi biznesmenit nga Lipjani, Fahri Retkoceri, që të ndërtonte një objekt të banimit kolektiv.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë më 12 shkurt të këtij viti Bujës dhe kundër nëntë të pandehurve të tjerë për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, “Dhënia e Rryshfetit”, “Marrja e Ryshfetit”, dhe “Ushtrimi i ndikimit”, “Punimet ndërtimore të kundërligjshme”.
Buja ndryshoi planin urbanistik që t’i lejonte biznesmenit të ndërtojë banesa në vend të fabrikës
Aktakuza ishte ngritur nga një prokuror vendor i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cila i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit, për veprat penale që akuzohen, t’i shpallë fajtorë dhe t’i gjykojë sipas ligjit. /Insajderi.com