Beteja maratonike drejtësisë irlandeze kundër shqiptarit Vesel Jahiri ka marrë fund. Pas më shumë se pesë viteve gjykimi dramatik e gati edhe tragjik, imigranti kosovar është gjetur fajtor përfundimisht për vrasjen e ish të dashurës së tij dhe plagosjen e vëllait të saj.
Policë të veshur me anti-plumb që përdoren vetëm në raste trazirash mbanin të rrethuar Vesel Jahirin dhe për këtë kishte një arsye të fortë. Herën e kaluar që ai ishte në gjykatë, grushtoi prokurorin e rastit.
Por kjo nuk është e vetmja herë kur një gjykatë në Irlandë u përball me egërsinë e një të akuzuari për vrasjen e ish-të dashurës së tij dhe therri vëllanë e saj.
Vesel Jahiri një kosovar me qëndrim të përhershëm në Irlandë është bërë kryefjala e të gjitha medieve irlandeze por edhe britanike për shkak të historisë tragjike që bëri bujë në të gjithë botën.
Qysh prej shtatorit të vitit 2012, Jahiri u bë një nga personazhet më famëkeqe në Irlandë duke shokuar opinionin publik me paraqitjet e tij prej një kapadai ani pse ai gjykohej për një akt makabër.
Të mërkurën e 12 prillit, pesë vite më pas ai u dënua nga gjykata për vrasjen e Anna Finnegan, nënë e dy fëmijëve të tij në shtëpinë e saj në Clonsilla të Dublinit me 21 shtator 2012.
Se sa vjet burg do të vuaj Jahiri do të merret vesh në një seancë që do të mbahet muajin e ardhshëm, raportojnë mediat në Irlandë.
Megjithatë mediat irlandeze të cilat kanë raportuar që pesë vite për këtë rast duke e ndjekur çdo seancë paralajmërojnë një dënim kapital, të përjashtëm.
Ato shkruajnë se vendimi për Jahirin u mor pas pleqërimit 7 orësh të trupit gjykues.
Insajderi ka raportuar në vazhdimësi për rastin e Jahirit i cili në seanca e fundit kishte përjashtuar të gjithë ekipin e avokatëve të tij duke vendosur që ta mbrojë vetën.
Kur Jahiri që ka lindur në Kosovë ndërsa jeton në Irlandë që nga viti 1999, ku edhe punon si mekanik, filloi të përfaqësonte vetën në gjykatë, filloi edhe puna më e vështirë për gjykatësin dhe prokurorinë.
Në paraqitjet e tija në gjykatë Jahiri shpeshherë akuzonte prokurorin për çdo gjë që ai thoshte.
Të premten e kaluar, në seancën e mbajtur në mëngjes, Gjykatësi Paul Coffey i tha jurisë se zoti Jahiri nuk kishte më mundësi që të thërriste më dëshmitar të tjerë.
Në këtë pikë Jahiri bërtiti:”Gjykatësi më ndalon që të thërrasë dëshmitarë. Ky gjykim nuk është duke shkuar përpara. Ju po e thyeni ligjin. Ky gjyq nuk po shkon askund, dhe unë po e lë këtë gjykim”.
Gjykatësi pastaj i tha Jahiri se ai i kishte dhënë atij një mundësi që t’i thërriste dëshmitarët sot në mëngjes. E kosovari 35-vjeçar tha se atij i duhej një telefon që t’i thërriste dëshmitarët e mundshëm: “A jam unë në burgun e Guantanamos”.
Në këtë pikë, prokurori i rastit Patrick Marrinan u ngrit në këmbë për të folur, derisa në ato momente Jahiri shkoi para tij dhe e goditi në fytyrë. Gjaku mund të shihej teksa dilte nga hundët e prokurorit.
Por këto skena tashmë kanë marrë fund. Jahiri duket se do të vuaj gjatë për veprimet e tija ndërsa publiku do të stopoj së marri informacione nga një rast që për vite të tëra e bëri Kosovën vend ku burrat vrasin gratë për arsye banale./Insajderi.com