Senatori amerikan John McCain nisi sot fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke e treguar një histori që bëri bujë të madhe. Tregoi për vajzën e tij të adoptuar Bridget McCain të cilën tha se e mori nga duart e Nënës Terezë, në një jetimore në Dhaka të Banglladeshit bashkë me një vajzë tjetër të cilën e ka adoptuar një familje, miq të senatorit.
“Do të doja të tregoja një histori të shkurtër për familjen time. Jam i vetëdijshëm që një nga figurat më të mëdha të kohës sonë dhe të gjitha kohërave, Nëna Terezë, kishte gjetur rrugën e saj në njërën prej kishave këtu në Kosovë. 24 vite më parë gruaja ime ishte në Bangladesh, dhe po vizitonte jetimoren e Nënës Terezë. Dhe Nëna Terezë kishte ardhur në takim me dy foshnje dhe tha ‘Duhet të marrësh këto foshnje. Duhet ti marrësh se përndryshe do të vdesin.’ Gruaja ime mori dy foshnjat dhe i solli. Të dyja kishin sëmundje që i kërcënonin jetën. Gruaja ime i mori në SHBA. Një çift të cilët ishin shokë tanë e adoptuan njërën, dhe tjetra është vajza jonë Bridget të cilën e duam shumë dhe ne e falënderojmë Nënë Terezën çdo ditë që na ka pasuruar jetën tonë aq shumë”, tha McCain në hyrje të fjalimit të tij, që nuk u përfshi në fjalmin zyrtar të publikuar në faqen e Ambasadës Amerikanë të Kosovës.
Por tregimet për adoptimin e Bridget nuk janë të njëjta, bazuar në tregimet e vet familjes McCain. Ato kanë ndryshuar varësisht nga situata politike në të cilën është gjendur McCain.
Insajderi ka bërë një hulumtim në shkrimet e ndryshme të gazetave amerikane lidhur me adoptimin e vajzës. Aty del se vet McCain por edhe bashkëshorja e tij, kanë dhënë histori të ndryshme lidhur me adoptimin.
Por Nëna Terezë nuk përmendet si personi që t’ia ketë dorëzuar vajzën nga duart e saja.
Madje media të shumta kanë shkruar për këtë tregim, duke e akuzuar shpeshherë senatorin amerikan se e ka përdorur këtë histori për kampanjën e tij presidenciale në vitin 2008 që të kishte më shumë sukses.
Një hulumtim nëpër këto raportime, del se gruaja e McCain kur ka folur për atë sesi ka ndodhur adoptimi, nuk e ka takuar fare Nënën Terezë. Përshkrimi që ajo ka dhënë për mediat e huaja, kishte ndryshuar disa herë ndër vite.
Insajderi sjellë disa nga historitë që kanë ndryshuar rreth kësaj çështje.
Newsweek më 15 nëntor 1995, rrëfimi nga vetë Cindy McCain, bashkëshortja e John McCain.
Isha duke punuar në Dhaka, dhe një shoqe e imja nga Arizona më tha, Shiko përderisa je atje ma bëj një nder. Nënë Tereza ka një jetimore në Dhaka. A mund të shikosh nëse kanë nevojë për ndihmë? Dhe unë thash, Sigurisht. Ne më në fund gjetëm jetimoren, dhe pamë 150 të sapolindur në tokë. Shumë nga ta të sëmurë. Dhe motrat thanë, “[Kjo vajzë e vogël ka një qiellzë të qarë] – a mund ta marrësh dhe ti ofrosh ndihmë mjekësore?” Dhe unë mendova, pa dyshim që mundem, mund ta bëj këtë.
Nga CNBC më 12 shkurt 2000, intervista e Tim Russert me familjen McCain:
Znj. McCain: ajo është vajza jonë, Bridget është tetë vjeçare. E gjeta në jetimoren e Nënës Terezë kur ishte vetëm 10 javëshe në Bangladesh. Ajo kishte qiellzën e qarë dhe disa probleme tjera. Dhe motrat më bindën ta marr me vete në shtëpi, dhe unë e mora. Unë mund ta bëja këtë. Dhe në fluturimin për në shtëpi nga Bankoku për në Los Angeles, pa folur me burrin tim, vendosa që nuk mundja – duhej – nuk mund ta lija. Ajo më zgjodhi mua. Tani ajo është e jona. Erdha në shtëpi dhe e prezantova burrin tim me bijën tonë të re të cilën ai nuk e dinte që e kishte.
Në Vanity Fair në nëntor të vitit 2004:
Në vitin 1991, kur Cindy McCain ishte në një mision ndihmues në Bangladesh, një motër nga jetimorja Nënë Tereza i kishte kërkuar ta ndihmonte jetimen me qiellzë të qarë. Duke udhëtuar për në SHBA për operacion, Cindy e kishte kuptuar që nuk mund ta linte. Në aeroport të Phoenix, ajo i kishte thënë burrit të saj, dhe ata eventualisht e kishin adoptuar fëmijën. Por pak njerëz e dinin këtë storie. Sipas fjalëve të menaxherit të kampanjës, Rick Davis, një ndotje nuk duhet të jetë “e vërtetë për të qenë efektive”.
Por si ka ndryshuar kjo histori në fillim të vitit 2008?
The Sunday Mail, 3 shkurt 2008:
“Kur isha duke punuar në jetimoren e Nënës Terezë në të 90-at e hershme, u ndesha me vajzën më të bukur që kisha parë ndonjëherë,” kishte thënë ajo. “Ajo kishte qiellzën e qarë. Probleme me këmbët. Kishte probleme me duart. Kishte shumë probleme.”
“Dhe se si vetëm Nëna Terezë mundet, ajo ma mbushi mendjen ta marrë këtë foshnje dhe një tjetër në SHBA për tretman mjekësor.”
The Sunday Telegraph, 3 shkurt 2008:
Ishte në një udhëtim në Bangladesh në vitin 1991 kur ajo adoptoi Bridgeten. Të premten ajo u tregoi votuesve në Misuri dhe Illinois se si Nëna Terezë e kishte bindur atë të kthehej në shtëpi me foshnjen. “nuk mund ta lija. E vetmja gjë ishte që nuk i kisha treguar burrit tim. Kur u ktheva ai më pyeti ‘Ku do të shkojë kjo?’ dhe unë i thash: ‘Mendoj që mund të vijë në shtëpinë tonë.’
Por dëshmia më e madhe nga tentimet për të sajuar këtë storie vjen nga versionet e uebfaqes së kampanjës së McCain.
Në vitin 2004 kjo ishte biografia e Cindyt:
Si një avokuese për kujdesin për nevojat shëndetësore të fëmijëve, Cindy McCain ka themeluar Ekipin Mjekësor Vullnetar Amerikan (AVMT) në vitin 1988. AVMT ka dhënë ndihma emergjente mjekësore dhe kujdes për operacione për fëmijët e varfër nëpër botë. Cindy ka udhëhequr 55 misione mjekësore në vendet e shkatërruara nga lufta përgjatë ekzistimit të këtij ekipi. Gjatë këtyre misioneve, në një vizitë në jetimoren e Nënës Terezë, Cindy është pajtuar të marrë me vete dy foshnje që kishin nevojë për tretman mjekësor në SHBA. Njëra nga këto është tani një vajzë e lumtur dhe e shëndetshme e quajtur Bridghet McCain.
Në vitin 2008 – në të njëjtën ditë që janë printuar storiet e The Sunday Mail dhe The Sunday Telegraph, kanë ndryshuar edhe të dhënat në sajtin e McCain.
Si një avokuese për kujdesin për nevojat shëndetësore të fëmijëve, Cindy McCain ka themeluar Ekipin Mjekësor Vullnetar Amerikan (AVMT) në vitin 1988 që ka funksionuar deri në vitin 1995. AVMT ka dhënë ndihma emergjente mjekësore dhe kujdes për operacione për fëmijët e varfër nëpër botë. Cindy ka udhëhequr 55 misione mjekësore në vendet e shkatërruara nga lufta përgjatë ekzistimit të këtij ekipi. Në njërin prej këtyre misioneve, Nënë Tereza e bindi Cindyn të merrte dy foshnje në nevojë për tretman mjekësor në SHBA. Njëra nga këto është tani vajza e tyre e adoptuar, 15-vjeçarja Bridghet McCain.
Vërehet ndryshimi në njërën prej fjalive, e cila ndryshon rrethanat e adoptimit të vajzës.
Në kohën e kampanjës kur kishin dalë këto zbulime, ata kishin vënë fajin një praktikanti për problemin.
Por pos kësaj është luajtur edhe më shumë me jetën e Bridget McCain. Gjatë kandidaturës së babait të saj për president, kundër George W Bush, në vitin 2000 Bridget McCain kishte qenë qendër e një skandali politik.
Pasi John McCain kishte marrë vajzën e tij publikisht në kampanjë, dhe kishte fituar në primaret në New Hampshire, një anketë telefonike e organizuar me gjasë nga përkrahësit e Bushit kishte pyetur votuesit: “A do të jeni më shumë apo më pak pro votimit për John McCain nëse do e kishit ditur që ka një fëmijë jashtëligjor të zi?}
Kjo ishte një njollosje raciste e bërë kampanjës së McCain, prej të cilës ai kishte dështuar dhe nuk mundi të kthehej më. Dhe gjithë kjo për arsye se njerëzit mendonin që Bridget nuk ishte në fakt e adoptuar, por vajza e jashtëligjshme e McCain./Insajderi.com