Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Serbi, Aleksandar Vulin, i ka komentuar tensionet e fundit në Listën Srpska në Kosovë.
Duke folur për kryetarin e ardhshëm të këtij subjekti, ai ka thënë për Blicin serb se postin e kryetarit mund ta mbajë vetëm ai që e ka përkrahjen e Qeverisë serbe.
“Ai nuk mund të vendosë. Kush e ka mbështetjen e Qeverisë së Serbisë për mua është kryetar i Listës Serbe. Unë nuk e mbështes Jabllanoviqin”, ka thënë Vulin, përcjell lajminet.
Tensionet në Listën Serbe kanë ardhur pas dy kërkesave që janë dërguar në KQZ për ta marrë postin e kryetarit të këtij subjekti politik.
Ishte Slavko Simiq i pari që e dërgoi kërkesën, për të pasuar pastaj Jabllanoviq.
Tensionet u rritën sidomos në njërën nga mbledhjet që i pati kjo parti në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ku pati përplasje të ashpra ndërmjet anëtarëve.
Lista Serbe që deri më tani ka ekzistuar vetëm si iniciativë qytetare, pritet që shumë shpejt të miratohet nga KQZ si subjekt politik.