Për më tepër se një vit, Komuna e Deçanit është duke refuzuar t’ia njoh pronësinë e 26 hektarëve tokë Manastirit ortodoks të mbrojtur nga UNESCO. Për këtë ka reaguar edhe Bashkimi Evropian. BE-ja ka kërkuar zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Moszbatimi i aktgjykimeve të formës së prerë, është vepër penale.
Autoritetet komunale të Deçanit vazhdojnë armiqësinë me Manastirin ortodoks. Komuna e udhëhequr nga Rasim Selmanaj vazhdon të mos e zbatojë një vendim të formës së prerë, përfshirë atë të Gjykatës Kushtetuese që 26 hektarë tokë në Deçan t’i kalojnë në pronësi Manastirit, që mbrohet nga UNESCO.
Konflikti për këto toka i ka rrënjët në vitin 1946. Aso kohe Jugosllavia ia kishte marrë këto prona Manastirit, duke krijuar ndërmarrje shtetërore. Prej përfundimit të luftës, një konflikt i gjatë nëpër gjykata ka vazhduar. Dhjetë muaj më parë, Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të Manastirit.
Për moszbatimin e këtij aktgjykimi është shprehur i shqetësuar Bashkimi Evropian. BE-ja ka reaguar të enjten rreth refuzimit të zbatimit të vendimit.
Moszbatimi i vendimeve të formës së prerë konsiderohet vepër penale. Deri tash Prokuroria nuk ka nisur ndonjë hetim për zyrtarët që refuzojnë zbatimin e vendimit.
“BE-ja është e shqetësuar me mungesën e vazhdueshme të zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 20 maj për çështjen e mosmarrëveshjes për tokën në Deçan’, thuhet në një reagim të Zyrës së BE-së në Kosovë.
“Vendimet e autoritetit më të lartë ligjor të Kosovës janë përfundimtare dhe duhet të zbatohen. BE-ja u bën thirrje autoriteteve në të gjitha nivelet që të respektojnë sundimin e ligjit si një parim themelor demokratik. Zbatimi i plotë i vendimit duhet të bëhet pa vonesë. BE-ja dënon çdo veprim që synon të bllokojë qasjen ose përndryshe të pengojë jetën në Manastirin e Deçanit”, ka deklaruar Bashkimi Evropian nëpërmjet një komunikate.
Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të Manastirit të Deçanit, duke konstatuar se ka gjatë procedurave gjyqësore në gjykatat e rregullta ka pasur shkelje të Kushtetutës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në dëm të Manastirit.
Kushtetuesja kishte konstatuar se dy vendimet e Kolegjit te Ankesave të Dhomës se Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, janë të pavlefshme.
Kushtetuesja ka gjykuar se dy vendimet e Kolegjit të Specializuar për Pronësi të Dhomës se Posaçme të Gjykatës Supreme janë përfundimtare, të detyrueshme dhe, si të tilla, janë resjudicata (çështje e gjykuar v.j.).
Kësisoj, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka cilësuar kundërkushtetues vendimin e Dhomës së Posaçme e Gjykatës Supreme që kishte vendosur se 26 hektarë tokë i takonin ndërmarrjeve shoqërore Apiko dhe Iliria.
Kushtetuesja kishte vendosur në favor të Manastirit i cili është nën mbrojtjen e UNESKO-s.
Aktgjykimi ishte nxjerrë bazuar në parashtresën e Atit Sava Janjiq të ushtruar në emër të Manastirit të Deçanit për vlerësim të kushtetutshmërisë se dy vendimeve te 12 qershorit 2015 të Kolegjit të Ankesave të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për çështje që Lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Parashtruesi kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë se dy vendimeve të lartpërmendura, me të cilat pretendohet se parashtruesit i ishin shkelur të drejtat e garantuara për barazi para ligjit, gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta për mjete juridike, e drejta për mbrojtje të pronës dhe mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.
Vendimi i Kolegjit të Apelit thoshte se Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme nuk është kompetente për t’i shqyrtuar këto çështje, ndaj kërkohej që rasti të kthehej për shqyrtim në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Deçan.
Ky vendim shfuqizonte atë të Dhomës së Posaçme të 27 dhjetorit 2012 i cili i jepte të drejtë Manastirit të Deçanit.
Manastiri kishte shprehur frikën se Gjykata Themelore e Pejës, Dega në Deçan mund të nis procedurat e bartjes së pronësisë.
Manastiri e akuzonte Komunën e Deçanit që me dokumente të rrejshme kishte ndikuar që vendimi të jetë në favor të tyre. Për këtë arsye, parashtruesi kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të vendoste masë të përkohshme, respektivisht të pezullonte çdo procedurë gjyqësore, çdo veprim apo çdo vendim i autoriteteve publike në lidhje me këtë ankesë kushtetuese deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese përkitazi me këtë kërkesë.
Në parashtresat e tij, Manastiri theksonte se ka qenë pronar i ngastrave të konsiderueshme të tokës që i ishin konfiskuar dhe nacionalizuar nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë në vitin 1946.
Manastiri pohonte se në vitin 1997, Qeveria e Republikës se Serbisë ia dhuroi një pjesë të kësaj toke. Kjo dhuratë konsistonte në një ngastër prej 23,5 hektarësh në afërsi të objektit të parashtruesit dhe një ngastër tjetër prej 2 hektarësh që gjendej në qendër të komunës se Deçanit.
Më 26 prill 2000, dy ndërmarrje shoqërore të quajtura Iliria dhe Apiko kishin ushtruar padi në Gjykatën Komunale të Deçan kundër Manastirit të Deçanit, Komunës se Deçanit dhe Republikës së Serbisë, duke kërkuar anulimin e dhurimit të tokës, të kryer në vitin 1997.
Kishin pasuar procedura të ndryshme gjyqësore deri me 7 dhjetor 2007, kur Agjencia Kosovare e Mirëbesim kishte aplikuar për heqjen e rastit nga Gjykata Komunale. Procedura të ndryshme kishin pasuar pranë Dhomës se Posaçme.
Më 27 dhjetor 2011, në një ankesë të përkohshme, Kolegji i ankesave i Dhomës se Posaçme konstatoi se AKM-ja, e përfaqësuar nga Zyra për çështje Ligjore e UNMIK-ut, dhe parashtruesi i kërkesës ishin palët e vetme të autorizuara në këtë rast.
Kjo pikë është konsideruar shkelje në dëm të Manastirit.
Më 27 dhjetor 2012, Kolegji i specializuar i Dhomës se Posaçme vendosi në dy aktgjykimet, me te cilin paditë e ndërmarrjeve shoqërore u refuzuan si të pabazuara.
Kolegji Pronësor konfirmoi se aktvendimi i përkohshëm i Kolegjit te Ankesave lidhur me përfaqësimin e autorizuar në këtë rast kishte marrë formë res judicata (rast i gjykuar v.j.).
Më 23 janar 2013, respektivisht më 24 janar 2013, Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe dy ndërmarrjet shoqërore u ankuan në aktgjykime.
Më 29 janar 2013, Komuna e Deçanit iu bashkua ankesave. Ndërsa më 12 korrik 2015, Kolegji i Ankesave nxori vendimet përfundimtare.
Kolegji i Ankesave vendosi që ankesat ishin të bazuara; aktgjykimet e Kolegjit të specializuar u anuluan; dhe, Dhoma e Posaçme nuk ishte kompetente të 3 gjykonte në këtë kontest.
Në pajtueshmëri me këtë konkludim, Kolegji i Ankesave ktheu këtë çështje dhe çështjet e kontestit në Gjykatën Themelore në Pejë – Dega në Deçan.
Kushtetuesja konstatoi se një gjë e tillë përbënë shkelje Kushtetuese për shkak se rasti është i gjykuar.
Manastiri pretendonte se zyrtaret e Zyrës Kadastrale ne Komunën e Deçanit, pa ndonjë bazë juridike apo pa autorizim, paraprakisht kanë ndryshuar të dhënat në kadastrën komunale lidhur me parcelat e kontestueshme të tokës dhe i kanë regjistruar ato në emra të ndërmarrjeve të reja shoqërore: Apiko dhe Iliria.
Parashtruesi po ashtu pretendonte se zyra kadastrale ka refuzuar të implementonte Vendimin Ekzekutiv të Përfaqësuesit Special të Kombeve të Bashkuara në Kosovë të 22 gushtit 2008 (UNMIK/ED/2008/16) për të kthyer regjistrin kadastral në gjendjen e mëparshme, duke regjistruar pronat përsëri në emër te Manastirit të Deçanit, deri në përmbylljen e procedurave gjyqësore.
Kushtetuesja ka konstatuar se dy vendimet e Kolegjit te Ankesave të Dhomës se Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, janë të pavlefshme./Insajderi.com