Organizatat serbe që duan ndëshkimin e Haradinajt për deklaratën kontraverse

Organizatat serbe që duan ndëshkimin e Haradinajt për deklaratën kontraverse

Përfaqësues të shoqërisë civile nga komuniteti serb thonë se kanë ngritur kallëzim penal pranë Gjykatës Themelore në Pejë, kundër deputetit Daut Haradinaj, për shkak të një deklarate që ai kishte bërë gjatë një interviste në RTV Dukagjini.

Në këtë intervistë, Haradinaj ka folur lidhur me mundësinë e ekstradimit në Serbi nga autoritetet franceze, të vëllait të tij, liderit të Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Ramush Haradinajt.

“Në rast se gabojnë të bëjnë këso veprimesh, atëherë, ata le të bëhen gati për tema më serioze. Nëse duan Kosovën etnikisht të pastër, pa serb, le të bëjnë hajgare me Ramushin”, kishte deklaruar, Daut Haradinaj.

Edhe pse ditë më vonë sqaroi se nuk kishte nënkuptuar me “pastrim etnik” të Kosovës nga serbët, organizatat serbe duan ndëshkimin e tij.

Lidhur më këtë deklaratë, Nenad Maksimoviq, drejtor i Qendrës për paqe dhe tolerancë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë në gjuhën serbe se Daut Haradinaj jo vetëm që ka nxitur frikë dhe shqetësim te komuniteti serb, por një deklaratë e tillë paraqet vepër penale.

“Nismës së Qendrës për paqe dhe tolerancë për kallëzim penal ndaj Daut Haradinajt i janë bashkuar disa organizata të shoqërisë civile si dhe individë. Kurse qëndrimi ynë i përbashkët është që për shkak të rrethanave specifike këtë lëndë do të mund ta trajtoj vetëm Gjykata Speciale e Kosovës”, ka deklaruar ndër tjera, Maksimoviq.

Reagimi i Daut Haradinajt, kishte pasuar ndalimin e vëllait të tij, ish-kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze më 4 janar të këtij viti, mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të Serbisë, me të cilin pretendohet se ai kishte kryer krime lufte.

Pas disa seancave të zhvilluara, pritet që gjykata në Colmar, më 27 prill, të marrë vendimin për Ramush Haradinajn, ku përmenden si dy mundësi, ajo e lirimit të tij apo ekstradimi në Serbi, siç ka kërkuar Beogradi./Insajderi.com